Avioni, tashmë zyra ime
Edhe pse janë larguar vite të shkuar nga vendi i tyre, Merita Halili dhe disa këngëtarë a artistë sikur kanë qenë më të dëgjuar se të tjerët në rikthimet e tyre.
Ndoshta pse kanë ikur pak më vonë se gjërat të priteshin me thikë e të ndryshonin kryekëput, pra kanë bërë aktivitete edhe në pas ‘90-ën, kështu kujtesa e publikut ka shkuar më gjatë. Ndryshe nga ç’ka ndodhur me Alida Hiskun, për të cilën një brez i mirë të rinjsh nuk i kujton as emrin. Merita Halili është njëra prej tyre.
Sado që jeta e tyre artistike, bashkë me të shoqin, mjeshtrin e firzamonikës, Raif Hysenin, ka disa vite që ka qenë në rrugëtim mes Amerikës, Kosovës e Shqipërisë, asnjëri prej tyre nuk është ndier i lodhur, sado që për zyrë nuk kanë një hyrje apartamenti, por avionin që i shëtit nëpër kënde të ndryshme të botës. Me kostumin kombëtar përherë me vete dhe me emrin e mirë që i dha Shqipëria, Merita Halili nisi të këndonte që pas muajve të parë që mbërriti në Amerikë.
Sepse nuk është pak për një këngëtare të muzikës popullore ta gjejë emrin e saj në gazetat më të mëdha botërore si “New York Times”, “Washington Post” etj. Natyrisht që në këtë pikë i justifikon të gjitha sakrificat e kilometrave që të ndajnë nga vendi yt, edhe pse tani janë pakësuar. Aq sa, Merita nuk e ndien më veten aq larg vendit.
Mirëpritja e duartrokitjet e publikut në këto të shtuna që zgjatën e po zgjasin ende, bënë që planet të mos mbaronin këtu. Realizimi i një CD-je e të një koncerti recital ishte plani tjetër surprizë që do shtojnë edhe më shumë numrin e biletave vajtje-ardhje. (Panorama)