E Diel, 1 Nëntor 2026

Avitja, heshturazi, e një lajmi - ose vdekjet ne vetminë e frikshme.

Dikur, po jo sot, në nxitje të beqarit, ngurues a mospranues, për t’u martuar, njëherësh me mëdyshjen që, gjithësesi, martesa nuk është zgjidhja e përkryer e jetës, thuhej: “Kush martohet, rron si qen e vdes si njeri. Kush nuk martohet, rron si njeri e vdes si qen”.
Vdekjet qenshe, nëse e emërtojmë me fjalë kaq të rëndë fundin e veçantë të disa njerëzve, duhet thënë që, ato vijnë si një lajm i pazë, aviten frikshëm, siç i gjen beftas qëniet, një vidhisje e paparalamëruar.
Përjashto vdekjet e natyrshme, në moshë të shtyrë a të parakohëshme, në rrethanat e tashme të zhvillimit shqiptar, janë futur nëpër statistika, shqetësuese për nga numri, tri lloje vdekjesh, të panatyrshme.
E para, humbja e jetëve nga aksidentet automobilistike. Që kur shqiptarët, e shtetit të këmbësorëve dhe biçikletave, krejt të pamësuar zotëruan një makinë të vjetëruar si pasuri të vet, numri i të vrarëve nëpër rrugë, i afrohet bilancit të një lufte. Ata mësuan të bëhen shoferë duke vdekur.
E dyta, humbja e jetëve nëpër skutat e errëta të krimi. Përgjatë gjithë rrjetit rrugor të Shqipërisë, deri edhe brenda qyteteve, madje ngjitur edhe me ndërtesa të rëndësishme, syri të kap, murana kujtimi, të shtrenjta e të mermerta, me epitafe vajtuese e dy data skajore - lindje dhe vdekje-, ku dikush dhe dikur është vrarë nga dikush. Ato janë të shpërndara, pa rregullsinë e gurëve kilometrikë, por tek të cilat asnjëherë nuk mungojnë lulet plastike, që të afërmit, ua përtërijën me të tjera, në përvjetor a pa përvjetor.
E treta, janë humbjet e jetëve me vetvrasje. Njerëz, të moshuar e të rinj, madje edhe adoleshentë, me shpirt të ndjeshëm apo sistem nervor të qelqtë, të zhgënjyer nga jeta ose të pamundur të përballojnë drama të rëndomta të saj, pasi mbeten në udhëkryq, vetshpëtohen prej atje, me vetvrasje.
Për të tri mënyrat e humbjes së jetëve, shërbehen statistika, shprehen pikëpamje, shqyrtohen si dukuri dhe bëhet thirrje për t’u marrë më seriozisht me këto lëngime të shoqërisë. Por, thuajse, nuk flitet fare, për llojin e katërt të një vdekjeje, edhe pse e natyrshme. Ajo u përket tërësisht të moshuarve dhe përbën një kundërkahje të vrazhdtë me traditën tonë familjare, e tronditur dukshëm, deri në themele, Aty-këtu, bie në sy si një lajm i rrallë, i panënvizuar si prirje, për t’iu vënë veshi sië duhet nga ata që kanë veshë për të dëgjuar. Një prej të paktëve të njoftuar, 60-vjeçari  Agim Baraj, nga lagja “Pavarësia”, e Vlorës, u gjet i vdekur, në vetmi, pas 48 orësh, në banesën e tij, vetëm pasi ia shpërthyen derën e shtëpisë. Ekspertiza mjeko-ligjore, provoi se vdekja kishte ndodhur për shkaqe natyrore. Ky tip individi shqiptar - njeriu i vetmuar, edhe pse pa statistika, pranohet se është shtuar si raste, për dy shkaqe:
Fëmijët kanë emigruar, ndërsa prindërit janë lënë të vetmuar; Ose, edhe kur, ndonjë nga fëmijët nuk ka emigruar, prindi çohet, pa dëshirën e tij, në shtëpinë e pleqve, njëlloj si në dramën “Pjata prej druri”, e cila, më fort sesa rrëfen një realitet në perëndim, paralajmëron shpeshtimin e po asaj dukurie brenda familjeve shqiptare.
Ky, tani për tani, është një lloj lajmi disi i ri në shoqëri, që zhurmon me shumimin e rasteve. Këto nuk bën të kalojnë prajshëm, sepse familja, thuajse në shpërbërje, në pamundësi për t’u mbërthyer a rikthyer te tradita, medoemos kërkon gjetjen e zgjidhjeve, për të zbutur dramën. Një numër të moshuarish, gati-gati shumica e tyre, kanë dalë nga sistemi i kaluar dhe hynë në moshën e tretë, pa pasur as edhe njërën nga dy mundësitë e vetme për ta: as fëmijët ( ata janë larguar në dhera të tjera), as paratë ( ata u robëtuan në punë të papaguar). Këta të moshuar - pa fëmijë pranë e pa paratë në xhep - e kanë përmbysuar thënien e cituar në krye: ata rrojtën të varfër e vdesin në vetminë e frikshme; ose, jetuan qenshe e vdesin qenshe.
E thënë ashpër?
Nuk është e thëna që vret. Është fundi i jetës së tyre në vetmi të thellë, që akuzon për ndjeshmëri njerëzore, familjare e shoqërore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›