E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Shqiptar ka luajtur një rol aktiv në anëtarësimin e vendit në NATO

Roli i institucionit të Kuvendit ka qënë shumë aktiv në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, sidomos në fazën e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga vendet anëtare të Aleancës. Dëshmi e këtij angazhimi është ndër të tjera organizimi nga parlamenti të hënën (23 shkurt), në Tiranë i Konferencës "Karta e Adriatikut, Integrimi euroatlantik dhe Sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor". Ky aktivitet do të mbledhë bashkë autoritetet më të larta të vendit, si dhe të ftuar nga selia e NATO-s dhe vendet që aspirojnë të jenë anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë. Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, David Hobs, ambasadorë të akredituar në Tiranë, deputetë nga Kosova dhe rajoni, do të jenë të pranishëm në Konferencë. Gjatë punimeve të saj dyditore do të diskutohen sfidat e parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse për të siguruar burimet e nevojshme që kërkon mbrojtja, për të zbatuar reformat ushtarake, që u mundësojnë atyre të bashkëveprojnë me forcat e NATO-s, të përmirësojnë bashkëpunimin ndërkufitar, të bashkërendojnë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, trafikut të armëve, lëndëve narkotike dhe formave të tjera të krimit ndërshtetëror, duke miratuar ligjet e nevojshme. Shqipëria e pret këtë Konferencë me një bilanc pozitiv që lidhet me përfundimin në një kohë rekord të procesit të ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të Aleancës. Ky proces, i nisur më 15 shtator me ratifikimin e këtij dokumenti nga parlamenti hungarez u përmbyll më 17 shkurt me miratimin nga parlamenti grek. Tashmë, Shqipëria formalisht është anëtare e Aleancës, ndërkohë që në Samitin e Strasburgut më 3 prill pritet të zyrtarizohet anëtarësimi me të drejta të plota i saj. Procesi i hyrjes së Shqipërisë në NATO nis më 3 prill të 2008-s në Samitin e Bukureshtit, ku Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit në Aleancë. Më 9 Korrik 2008, në Bruksel nënshkruhet Protokolli për Zgjerimin e NATO-s nga Shqipëria që shënon dhe nisjen e procesit të ratifikimit të këtij dokumenti nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të Aleancës, që i hap rrugën anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në organizatë. Përpjekjet e Kuvendit për përmbylljen e këtij misioni nisin më 18 korrik 2008 me një letër, që kryeparlamentarja Topalli, në bashkëpunim me homologun e saj kroat Luka Bebiç, u dërguan parlamenteve të 26 vendeve anëtare të Aleancës. Me anë të kësaj Letre dy personalitetet iu kërkonin shteteve anëtare ratifikimin sa më të shpejtë të Protokollit, me synim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, në punimet e Samitit të Strasburgut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›