E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët: Autoritet e drejtësisë "injoruan" vdekjen e gjyqtarit

Sajmir Visha e cilësoi të turpshëm qëndrimin e institucioneve gjatë ceremonisë mortore të gjyqtarit të Krimeve të Rënda

TIRANË- Prej dy ditësh, ish-gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Xhelal Elezi, prehet i qetë në varrezat e Sharrës jugperëndim të kryeqytetit, pas një ceremonie të thjeshtë mortore të organizuar nga familja e tij.

Në të kundërt, në zyrat e autoriteteve shtetërore dhe veçanërisht në ato të hierearkisë së Drejtësisë, vdekja e tij kaloi me një keqardhje të hidhur të kolegëve, apo zyrtarëve që ngrohnin karriget e dikastereve apo institucioneve përkatëse.

Një qëndrim aspak të pritur, mbajti një një person i akuzuar, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe i dënuar me një vendim të një trupi gjykues që drejtohej nga Xhelal Elezi.

Ai denjoi më shumë se zyrtarët e shtetit, t'i hidhte një grusht dhe njeriut që vendosi ta lërë pas hekurave për disa vite. Heshtja për vdekjen e një figure të artit, letërsisë, apo politikës nuk do kishte kaluar pa u organizuar një ceremoni zyrtare qoftë edhe simbolike nga autoritetet shtetërore.

Në të kundërt, për Xhelal Elezin me një kontribut të gjatë në gjyqësor dhe së fundmi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nuk u pa e udhës të lexoheshin mbi varrin e tij dy rreshta falënderimi për kontributin e dhënë për Shtetin e së Drejtës.

Kjo braktisje ka ngjallur debate mes gjyqtarëve, avokatëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këta të fundit, edhe pse gjyqtari Elezi pësoi goditjen e parë të hemorragjisë cerebrale (gjakderdhjes në tru) në krye të detyrës, brenda sallës së gjyqit të gjykatës, ku nga viti 2004 ushtronte detyrën e gjyqtarit, nuk morën mundimin t'i organizojnë një ceremoni mortore zyrtare ashtu siç i takonte.

Jo vetëm kaq, por asnjë nga kolegët, të vetë emëruarit në krye të Shoqatave të gjyqtarëve apo drejtuesit e institucioneve të drejtësisë nuk morën mundimin që në momentin e varrimit të tij të thonë dy fjalë për punën e tij shumëvjeçare si gjyqtar.

Heshtjen e theu organizata e Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, e drejtuar nga avokati, Sajmir Visha, që shprehu indinjatën për braktisjen dhe injorimin e rëndë të njeriut të ligjit.

Visha shprehu indinjatën e kolegëve të tij, duke i cilësuar veprimet e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë si të turpshme. "Për një ish-futbollist u ngritën të gjithë institucionet shtetërore në organizimin e ceremonisë mortore. Nuk bënë aspak keq, por nuk mund të injorohej në këtë mënyrë vdekja e një gjyqtari në krye të detyrës.

Gjyqtari Xhelal Elezi, që nga themelimi i kësaj gjykate kontribuoi në dhënien e drejtësisë dhe përkeqësimi shëndetësore i tij filloi në seancën gjyqësore. Ishte në krye të detyrës, duke gjykuar një çështje jo pak të rëndësishme kur pësoi hemorragji cerebrale dhe nga salla e gjyqit e transportuan pranë Qendrës Spitalore për mjekim.

Për fat të keq, sulmi ishte i rëndë dhe nuk e përballoi atë duke ndërruar jetë",-tha avokat Visha. Sipas tij, është trup për institucionet shtetërore që injorojnë në atë mënyrë vdekjen e një gjyqtari në krye të detyrës, pasi nuk mjafton një shtrëngim duarsh dhe lot krokodili para familjarëve të tij si dhe pjesëmarrja në varrim të tyre pa shprehur edhe një fjali për punën e tij disavjeçare.

Kjo heshtje duket sikur nënkupton faktin se ata që komandojnë drejtësinë në vend e kishin dashur vdekjen e tij, ndërsa ai drejtonte trupën gjykuese ndaj një ish- zyrtari të lartë të SHISH, të akuzuar për rrëmbim personi, apo si anëtar i trupeve gjykuese në disa organizata që prokuroria i ka radhitur në bangën e të akuzuarve për krime të rënda të kryera nga pjesëtarët e tyre. Gjyqtari Elezi ndërroi jetë me 6 shkurt në ora 22:30 minuta në repartin e Neurologjisë, pas disa ditëve të shtrimit të tij.

Në ceremoninë mortore morën pjesë shumë avokatë, gjyqtarë dhe miq e kolegë të tij, të cilët përveç ngushëllimeve për familjen, shprehën indinjatën për drejtuesin e gjykatës si dhe Ministrin e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për mos organizimin e një ceremonie zyrtare dhe mos mbajtjen e një fjale për punën e tij në varreza.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›