E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficerët e Avokatët, ekzaminojnë saldatriçen e shpërthimit

GËRDECI
Një grup hetuesish të Prokurorisë mbërritën dje në vendin e shpërthimit, ku kryen kqyrjen e mjetit saldues me vendim të gjykatës

Pas veprimit të djeshëm pritet që Gjykata të caktojë ekspertë të posaçëm për të saktësuar "objektin" ekzaminuar dje

TIRANË- Hetues të Prokurorisë së Përgjithshme, avokatët mbrojtës të tre të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, si dhe një ekspert i caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, u rikthyen dje në vendin e shpërthimit të dy viteve më parë.

Kjo për të ekzaminuar dhe administruar si provë materiale saldatriçen me të cilën mendohet se u saldua karroca që solli shkëndijat e para të zjarrit në fabrikë e "ferrit" ku vdiqën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.

Me kërkesë të avokatëve, në seancën e fundit gjyqësore të tragjedisë së Gërdecit, trupi gjykues vendosi që prokurorët e çështjes bashkë me avokatët mbrojtës të zbresin në kraterin e shpërthimit në Gërdec për të këqyrur dhe administruar si provë materiale pajisjen e gjetur më 8 janar 2010 në hyrje të derës kryesore të shtëpisë së të ndjerit Qemal Deliu.

Ky i fundit, sipas prokurorisë, ka qenë personi që me kërkesë të Dritan Minxhollit saldoi një nga karrocat e prishura që përdoreshin për transportimin e barutit nga sheshi i demontimit në magazinat e fabrikës.

Saldimi i saj dhe futja në punë akoma ende pa u ftohur, sipas akuzës, solli shkëndijat e para të zjarrit që u përhapën duke shkaktuar shpërthimin e fuqishëm të 15 marsit 2008. Për këtë arsye, prokurorët e çështjes gjatë fazës hetimore kanë kryer edhe një eksperiment në vendin e ngjarjes, për të matur saktësisht kohën që i duhet një personi për të shkuar nga banesa e Qemal Deliut në oborrin e ish-repartit të tankeve të transformuar në punishte demontimi.

Grupi i ekspertëve ka konstatuar se nga banesa ku ndodhej saldatriçja e deri në vendin ku mendohet se kanë filluar shkëndijat e zjarrit mjaftojnë 47 sekonda kohë për të përshkuar rrugën.

Për ftohjen e karrocës së sapo salduar, sipas akuzës, minimalisht duheshin rreth 3 minuta kohë. Ndërkohë, në seancën e kaluar gjyqësore, djali i të ndjerit Qemal Deliu, Uran Deliu, në cilësinë e dëshmitarit të akuzës mohoi se ditën e shpërthimit, i ati të kishte salduar karrocë.

Këto pretendime të ngritura nga i biri i të ndjerit Deliu bënë që avokatët mbrojtës të kërkojnë nga gjykata verifikimin dhe ekzaminimin e mbetjeve të saldatriçes të gjetura vetëm disa javë më parë, pra që do të thotë se ajo ende nuk ishte administruar si provë. Edhe pse në seancë gjyqësore të gjithë avokatët kërkuan këtë ekzaminim, në terren mbërritën vetëm vetëm tre avokatë, nga 28 që janë gjithsej.

Oficerët e policisë gjyqësore, në prani të avokatëve Vladimir dhe Andi Meçi që mbrojnë Shpëtim Spahiu dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai dhe avokati Bashkim Hasani që mbron Ylli Pinarin, kryen këqyrjen dhe fotografimin e vendit të ngjarjes ku është gjetur saldatriçja dhe e administruan atë si provë materiale duke e mbyllur në kontenierin, ku organi i akuzës ka të administruara provat materiale.

Pas administrimit të provës në procesverbalet përkatëse, avokatët dhe oficerët vendosen që t'i kërkojnë togave të zeza, caktimin e një grupi ekspertësh për të bërë konstatimin se mjeti i gjetur është saldatriçe apo përdoret për ndonjë punë tjetër.

Sipas prokurorisë, saldatriçja është gjetur nga ekspertët anglezë të cilët po bëjnë pastrimin e zonës nga predhat. "Saldatriçja dhe disa mjete të tjera të punës që përdorte i ndjeri Qemal Deliu janë gjetur në hyrje të derës kryesore të banesës së tij, të mbuluar me dhe pas shpërthimit. Gjithashtu, bashkë me saldatriçen ekspertët kanë gjetur edhe dy predha 120 mm të cilat kishin rënë mbi të.

Vendi ku është gjetur saldatriçja ndodhet vetëm rreth 7 metra nga hyrja kryesore e ish-fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec"-thanë burimet pranë prokurorisë. Bashkë me saldatriçen është gjetur edhe kablli i cili ishte vendosur në prizë në bodrumin e banesës së të ndjerit Qemal Deliu.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›