E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirditë, vdes nga korrenti nëna e 5 fëmijëve

Vdekja e 48-vjeçares Dila Rica është e treta në gjashtë muajt e fundit për shkak të problemeve me rrjetin elektrik

MIRDITË - Ka gjetur vdekjen në mënyrë tragjike nëna e pesë fëmijëve në fshatin Shebe të komunës Kthellë të Mirditës.

Burimet policore konfirmuan vdekjen e 48-vjeçares Dila Rica, teksa është vënë në kontakt aksidentalisht me një tel përcjellës elektrik të tensionit të ultë në fshatin e saj. Vdekja erdhi në kohën që 48-vjeçarja po kthehej nga kullota e bagëtive në malin afër fshatit në buzëmbrëmje.

Rrugës ajo ka ndeshur në telat elektrikë që ishin këputur nga një pemë e rënë mbi to. Sapo është afruar njëri prej fëmijëve i ka bërë zë se duhej të kishte kujdes, pasi ishin dy tela elektrikë të këputur. Ajo është afruar në mënyrë të kujdesshme tek njëri prej telave dhe e ka provuar me shpinën e dorës, duke mos ndier asgjë.

Në këtë moment ka pandehur se nuk kishte energji elektrike në këta përcjellës, por me sa duket teli i provuar ka rezultuar "nuli", ndërsa prekja e telit tjetër për ta larguar nga rruga ka rezultuar fatale për të, pasi nga ky veprim ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Fëmija nuk ka munduar të japë ndihmë, teksa ka parë të ëmën që është rrëzuar aty, ndaj ka vrapuar për të lajmëruar të atin për çfarë kishte ndodhur.

Por, kur bashkëshorti ka shkuar tek vendi i ngjarjes ka parë që gruaja e tij kishte ndërruar jetë, ndaj ka lajmëruar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vendgjarje ku dhe ka pikasur vdekjen e saj nga korrenti. Policia ka vazhduar të hetojë shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë e ardhur aksidentalisht nga rënia në tension. Në gjashtë muajt e fundit në Mirditë ky është rasti i tretë i vdekjes nga problemet me korrentin.

Gjithë rastet kanë ardhur nga problemet e rrjetit elektrik në fshatra, i cili lë për të dëshiruar. Banorët e fshatrave gjithandej Mirditës janë shprehur se lënia e një infrastrukture të tillë është tejet kriminale dhe duken si varre të hapura gjithandej nëpër fshatra, ndaj pritet "me veshë në krahë" se kur do vijë vdekja e radhës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›