Mustafa s’ka kërkuar dorëheqjen e Pajazitit
Përderisa në media ka dalë se kryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Rrustem Mustafa ka kërkuar largimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti nga posti i ministrit, në një deklaratë për Kosovapress, Mustafa e mohon një gjë të tillë. Ai thotë se kërkesë zyrtare për dorëheqje është bërë kohë më parë vetëm për Sheremet Ahmetin, të cilin tani Mustafa e konsideron të shkarkuar.
Mustafa ka mohuar të ketë ndonjë kërkesë zyrtare për dorëheqjen e Pajazitit, nga ana Komisionit për punë të brendshme dhe siguri, por nuk ka mohuar që një gjë e tillë mund të ketë qenë objektiv i dikujt prej anëtarëve të komisionit.
“Në mbledhje është sugjeruar që Qeveria të punojë me kapacitete që ka për shuarjen e pakënaqësive dhe i është bërë ftesë policëve të Kosovës që të mos bien ndesh me ligjin. Asnjë kërkesë tjetër nuk ka dalë. Të tjerat janë opinione të njerëzve, qofshin përdorime, qofshin keqpërdorime të deklaratave zyrtare apo private”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, kërkesa për dorëheqjen e Pajazitit, mund jetë shkëputje nga mediat, por që nuk reflekton qëndrimin zyrtar të komisionit.
Ndërkohë për kërkesën e kahmotshme për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmetin, ai thotë është bërë dikur një kërkesë e tillë dhe ka mbetur si e tillë, por tani i mbetet Qeverisë në dorë kjo punë.
“Në fakt e kam mbështetur atëherë, tash më nuk e mbështes. Më nuk do të bëjë kërkesë për shkarkimin e një personi, që unë e quaj të shkarkuar”, ka thënë kryetari i Komisionit për punë të brendshme dhe siguri, Rrustem Mustafa.
Mediat kanë raportuar se Komisioni për punë të brendshme dhe siguri ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Zenun Pajaziti, për të cilën gjë kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se nuk është në dijeni.
Ai thekson se janë disa procedura që duhet të ndiqen nga ana e deputetëve kur duan të bëjnë kërkesa të tilla.
“Për të kërkuar dorëheqjen e akëcilit ministër duhet të kërkohet një informatë, ose një raport i ministrit përkatës dhe mbi bazën e informacionit ose raportit që bën ministri në Kuvendin e Kosovës, atëherë mund kërkohen edhe përgjegjësitë tjera. Gjashtë deputetë kanë të drejtë të kërkojnë interpelancë dhe të zhvillohet debat. Do të thotë të gjithë deputetët që kanë kërkesa të kësaj natyre duhet t’i përfillin procedurat e parapara me rregulloren e punës së Kuvendit”, është shprehur Krasniqi.
Ndryshe, në mbledhjen e tij mbajtur javën e kaluar, me rastin e grevës së njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës, Komisioni për punë të brendshme dhe siguri ka kërkuar nga Qeveria që të merret seriozisht me kërkesat e Policisë së Kosovës, ndërkohë që edhe nga vetë policia ka kërkuar që t’i respektojë ligjet në fuqi.
Njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës në Kishnicë gjatë javës së kaluar ishin në grevë pune, duke kërkuar ngritjen e pagave qind për qind, zbatimin e Ligjit për Policinë e Kosovës dhe ndryshimin e kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme. (Kosovapress)