E Diel, 1 Nëntor 2026

500 mijë euro një shpifje, një hetim kryesisht për Ina Ramën

500 mijë euro, plus një vend në Kuvend, mbase më vonë dhe ministër, kushti: vetëm fol në interes të Edi Ramës... Por i ndjeri u tregua shumë herë më i fisëm e me dinjitet në personalitetin e tij dhe nuk iu dorëzua fatit të keqpërdorur ku të gjallët e sotëm donin që ta shpinin. Vallja e vdekjes nuk ka kurrfarë rëndësie për Edi Ramën dhe të punësuarit e tij që janë mjaft, e disa shoqata e fondacione të tjera që sa vinë dhe shtohen me afrimin e datës së zgjedhjeve. Në sulmin më të keq të dëgjuar ndonjëherë, Edi Rama ka shfaqur ndërmjetësin e tij që kandidon edhe si grup presioni, edhe si zëvendës i punëve ku mungon kryebashkiaku, për të dhënë shembullin më ideal të bartjes së korrupsionit. Vullnetarët e “G Mjaft 99” kanë pasur gjysmë milionë euro në dorë, kanë pasur dhe mundësi të të emërojnë deputet e kushedi se çfarë më vonë mjafton që... Të flasësh kundër Kryeministrit Berisha, kundër mazhorancës dhe të gjitha këto për hatër të Edi Ramës. Pra, një deputet socialist këtë herë kushton miliona euro dhe kjo gjobë do të sjellë tregje financiare në kampin opozitar që lëkunden sikur të jenë siguruar në bankat e huaja që falimentuan. Ata që deklaruan publikisht që e mbajnë aktivitetin e tyre politik me qindra anëtarë falas e me kontribute vullnetare të skemës së gjirokastritit që vdiq në prill 85, paskan mbledhur shumë fonde, në aq pak ditë, megjithëse lojërat e orgjitë e dikurshme perverse nuk i kanë shitur si fitimprurëse. Qenkan aq të zotë sa i ofrojnë shërbime kaq vullnetare Ramës që kushtojnë gjysmë milionë euro. Pasi kishte dështuar të blinte biznesmenin, pas aksidentit të tij Rama u hodh së bashku me të tijtë e partisë në një agresion akuzash dhe shpifjes sikur t’i kishin zbuluar planin famëkeq të pabërë. “Uroj të mos jetë vrasje...”, - tha tërë urim natën e parë të ngjarjes kryesocialisti dhe kërkonte nga Prokuroria e Përgjithshme që të zbardhej ngjarja e rëndë. Ashtu si zakonisht në raste zie, Rama udhëhoqi grupimin e tij politik që të përfitonte nga morti, ashtu si më parë me tragjedinë e Gërdecit, ku banorë që s’e dinin në cilin vend a qytet protestonin, thërrisnin tërë dëshpërim për drejtësi e për ngjarje që s’kishin lidhje me orën në të cilën ata gjendeshin në rrugë. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka denoncuar një nga veprimet e denja mafioze për grupe kriminale, atë të blerjes së dëshmitarit të një çështjeje tepër të rëndësishme. Korrupsioni bashkiak në krye të PS-së tashmë ka plasur në mënyrën më të pacipë dhe Edi Rama ka zgjidhur qesen. Tani mund të thuhet se një leje e gjysmë ndërtimi, sipas tregut informal, ka kushtuar marrëveshja e pabërë. Me këtë listë çmimesh, Edi Ramës, për të mundësuar fitoren minimale prej 71 deputetësh në zgjedhjet e 2009-ës, pa llogaritur krizën globale financiare, i duhen të paktën 35 milionë euro, pa shtuar këtu faktin e shtrenjtë se Ilir Meta nuk ka dëshirën më të vogël ta votojë rivalin e vet si Kryeministër, karrige të cilën e synon vetë. Të gjitha këto hesape, duke ndaluar për pak minuta kujtesën se të djathtët kanë shtruar terrenin me investime e reforma për të qenë vazhdimësi. Bursa e Parlamentit do të bëjë kërdinë kur kuotohet në livadhin e korrupsionit. Ndaj, dhe të rinjtë e llojit Gonxhe, me historitë e Spanjës e Veliaj me të Holandës, që edhe kur punojnë vullnetarisht, kanë 500 mijë euro lekë xhepi, kanë shanset të jenë deputetët rreth Ramës. Se ku gjenden këto para, vetëm dhuruesi Rama mund të ketë dijeni. Raporti i Transparence International theksonte se korrupsioni partiak ka të bëjë pikërisht me fshehjen e origjinës së të ardhurave për të prodhuar më pas me këto financime deputetë dhe veprime të tjera politike që kanë kosto të madhe, fatkeqësisht këtë herë negative. Rama ka publikuar korrupsionin e tij me këtë veprim dhe krahas atij që ndodh rregullisht në bashkinë që ai bën sikur e drejton përveç rastit të firmosjes ndërtimore, kthehet në një kapje të rrezikshme

Një javë lajme, 500 mijë euro. Një strategji kriminale mediatike. Familja Trebicka duhet të jetë ndier vërtet e shokuar nga kjo tentativë që ashtu si deklaroi zëdhënësi i PD-së, është injoruar nga i ndjeri Trebicka. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi që Rama të vepronte moralisht, të kërkonte falje dhe të jepte dorëheqje pas abuzimit me fatkeqësinë. “Mos ndërto kurrë lumturinë tënde me gurët e varrit të dikujt tjetër”, - thotë diku Balzaku. Dhe vërtet, ndonëse prokurorët e pavarur, sipas kryetarit socialist, ekspertët e Ministrisë së Brendshme, eksperti i pavarur, eksperti amerikan kanë thënë të njëjtën gjë, që Kosta trebicka ka humbur jetën në aksident. Ndërsa Edi Rama, ka harxhuar energjinë e gjithë partisë së tij dhe të LSI-ës për të bindur shqiptarët se prokuroria është një institucion i pavarur që duhet mbrojtur. Këtij institucioni që dhe dje Rama tha se qytetarët mendojnë ndryshe, se Trebicka është vrarë. Ai vazhdon t’u besojë qytetarëve që i mëson vetë se çfarë të thonë, ndërsa institucionit për të cilin i qan zemra, nuk i zë besë, megjithëse janë të gjitha llojet e ekspertizave shkencore që dëshmojnë një të vërtetë. Rama përfundimisht deklaroi qartë dhe pak nervoz se i beson prokurorisë kur ajo sulmon mazhorancën dhe dyshon gjithë kohën tek ajo kur nuk provon versionin e opozitës. Kjo djallëzi besimi ka shembur seriozitetin e kryetarit socialist që kërkon hetim të pjesshëm për episodet që i shërbejnë dhe japin dobi atij. Tani është një sezon i vështirë për prokurorinë dhe është mirë që mbështetja ndërkombëtare, kryesisht ajo amerikane, të jetë e pranishme për të. Që nga dje Ina Ramës i është shtuar dhe një dosje tjetër delikate, nëse ajo do të ndjekë shembullin ligjor, hetim kryesisht, ajo që tashmë është në shtyp, në televizione e gazeta, se Erion Veliaj i ka ofruar 500 mijë euro Kosta Trebickës dhe një vend në Parlament, që të dëshmojë sipas interesave të Edi Ramës. Paratë dhe vendi i deputetit vështirë të ishin pushtet financiar dhe legjislativ i Veliajt, që ka deklaruar jokonkurimin elektoral në zgjedhjet që do bëhen. Natyrshëm firmosësi i çekut nëse ngjarjet shkonin në udhën e duhur do të ishte Edi Rama, mister betoni që pasi ka firmosur dhe 72 leje të reja një javë më parë nuk është se ishte hollshëm nga portofoli i kredive. Kjo ngjarje-dosje për Ina Ramën kryesisht dhe juridikisht ka hapur dhe një episod tjetër politik që tashmë është zyrtarizuar. Erion Veliaj ka pasur tagrin të bëjë ofertë miliona euroshe në emër të kryetarit të partisë opozitare që tenton marrjen e pushtetit, ndaj dhe shoqëruesit e tij të lëvizjes shërbejnë si stol rezervash me anë të të cilëve Rama mban nën trysninë që dëshiron gjithë deputetët dhe kandidatët e mundshëm të 2009-ës. Tani shihet se për të shkuar në Parlamentin e ardhshëm nën siglën e PS-së, duhet të kalosh njëherë nga zyra ofertuese e Erion 99-ës. Kjo ka sjellë modelin e Edi Ramës që pazareve u ka gjetur një zgjidhje me skemën “Gonxhe 2” që është dhe mjaftisti lobist i pazareve Veliaj për grupin e ri parlamentar që në këtë mënyrë vetëm do të rrudhet. Nëse Ina Rama e merr seriozisht dhe zbulon diçka më tepër rreth kësaj historie antike të kohëve moderne, atëherë pavarësia e prokurorisë është ajo që na duhet thjesht që të lënë Ina Ramën të hetojë Edi Ramën, tani që përveç dosjeve të vjetra ka shanse për një të re.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›