Fushë-Krujë, aksidenti, vdesin 2 persona, plagosen 4 të tjerë
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në rrugën Fushë Krujë-Tiranë, ku kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur katër të tjerë. Dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën pas ndërhyrjes mes tyre të një mjeti tip motoçikletë. Sipas policisë, njëri prej viktimave të këtij aksidenti është 25-vjeçari Oligert Topalli, ndërsa është duke u identifikuar viktima e dytë e këtij aksidenti. Menjëherë pas përplasjes, 25-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe tashmë ndodhet në morg. Policia e Qarkullimit Rrugor ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa po përcakton shkakun e vërtetë të këtij aksidenti të rëndë. Dyshimet e para flasin se shkak i aksidentit përveç shpejtësisë me të cilën udhëtonin mjetet, është bërë edhe ndërhyrja mes tyre nga një parakalim i gabuar i mjetit motorik. Megjithatë, do të jetë raporti përfundimtar që do të përcaktojë saktë shkaqet dhe rrethanat e aksidentit të rëndë.