E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët: Qëndrimi i prokurorëve konfirmon pafajësinë e Fazlliç

Avokatët amerikanë të Damir Fazlliç reagojnë një ditë pas seancës së parë për kundërshtim të sekuestrimit të pronave të tij nga prokuroria. Reagimi i dy prokurorëve të çështjes është konsideruar prej tyre si një konfirmim për pafajësinë e klientit të tyre. Sipas tyre, mospërgatitja si duhet e prokurorëve çoi edhe në zgjatje të afatit për marrjen e një vendimi lidhur me kërkesën e dy avokatëve të biznesmenit Fazlliç. Duke reaguar në emër të klientit të tyre, Damir Fazlliç, avokatët janë shprehur se “seanca e djeshme gjyqësore kundër sekuestrimit të njëanshëm nga prokurorët të pasurive në Shqipëri të Damir Fazlliç qe njëkohësisht irrituese për të, por edhe konfirmim i pafajësisë së tij”. Sipas tyre, ishte irrituese, pasi avokatët mbrojtës të z. Fazlliç shkuan në seancë të përgatitur për të demonstruar që sekuestrimi nga ana e prokurorëve është i paligjshëm nën ligjin shqiptar dhe për më tepër i gjithë hetimi është krejtësisht i pabazë, por i nxitur vetëm e vetëm nga historitë keqdashëse dhe të pavërteta rreth tij nga elementë të caktuar të shtypit shqiptar. Por, sipas reagimit, avokatët e tij e patën krejtësisht të pamundur ta bënin këtë gjë, pasi prokurorët, krejtësisht të papërgatitur për të provuar të kundërtën, kërkuan zgjatje kohe, brenda së cilës të mund të përgjigjen dhe të përpiqen të justifikojnë veprimet e marra që një muaj më parë. “E sidoqoftë, fakti i thjeshtë se prokurorët e kishin të pamundur të procedonin, provon vërtetësinë e qëndrimeve të z. Fazlliç. Për më tepër, qenë vetë prokurorët, të cilët në mënyrë të njëanshme imponuan sekuestrimin e pronave të zotit Fazlliç. Seanca e djeshme sugjeroi që një veprim i tillë nga prokurorët u ndërmor pa patur një bazë të fortë për ta bërë këtë gjë. Prokurorët nuk e mohuan që ata nuk kanë fakte të ndonjë krimi të kryer nga zoti Fazlliç. “Sikur prokurorët të mos na kishin siguruar që më parë se ata do të vepronin në mënyrë të ndershme, të paanshme dhe të shpejtë, do të kishim menduar se ata po zbatonin strategjinë “vrit njëherë, pastaj gjej arsyen pse”, që do të binte ndesh me thelbin demokratik të shtetit në Shqipëri. Megjithatë, ndonëse besimi i tij në këtë proces është lëkundur, zoti Fazlliç vazhdon të besojë se profesionalizmi i atyre që janë përfshirë në këtë çështje do të sjellë më në fund pastrimin e emrit të tij”, - shprehen ata, duke shtuar se “kjo zgjatje e procesit po bën të mundur që elementë të caktuar të medias të vazhdojnë fushatën e tyre të motivuar politikisht dhe të padrejtë kundër zotit Fazlliç. Rasti më i fundit i kësaj fushate ndodhi pak ditë më parë, kur një gazetë pretendoi se burime të paidentifikuara të prokurorisë i kishin bërë të ditur se prokurorët kishin siguruar fakte që dëshmonin se Damir Fazlliç ka përfituar ujdi shumë favorizuese për blerjen e tokave të papërcaktuara publike nga qeveria”.

Pronat e Fazlliç

Avokatët e Damir Fazlliç mohuan kategorikisht që atij t'i jetë dhënë qoftë edhe një diçka e vetme nga kushdo qoftë në qeveri. “Në të vërtetë, z. Fazlliç nuk ka blerë për çfarëdo lloj çmimi qoftë, as edhe 1 cm2 tokë publike në Shqipëri”. Vetë prokurorët ia mohuan avokatëve të z. Fazlliç që ata të kenë ndonjë informacion të tillë apo që ata të kenë folur me shtypin për një informacion të tillë. Me fjalë të tjera, raportimi nga ajo gazetë qe një gënjeshtër e zhurmshme. Me këtë rast, ne vërejmë ironinë që, sikurse duket, tashmë vetë prokuroria është bërë subjekt i një historie të gënjeshtërt e të motivuar politikisht të medias. Duke qenë se hetimi për “pastrim të supozuar parash” ndaj z. Fazlliç nisi vetëm për shkak të raportimeve të ngjashme të gënjeshtërta të disa mediave, inkurajojmë prokurorët të heqin sekuestrimin, të përfundojnë sa më shpejt hetimin e tyre dhe ta çlirojnë z. Fazlliç nga akuzat për keqbërje. Një shtyrje trejavore nuk do të sjellë asgjë të re, sikurse edhe 3 vjet nuk do të sillnin asgjë të re, pasi z. Fazlliç nuk ka bërë asgjë të jashtëligjshme. Në të vërtetë, përcaktimi bazë i pastrimit të parave është që të ardhurat nga një krim i mëparshëm përdoren për të financuar një transaksion të ligjshëm të mëpasshëm. Ndaj nuk mund të ketë rast të pastrimit të parave, kur nuk është kryer një krim i mëparshëm. Ne vërejmë se prokurorët nuk kanë identifikuar kurrë ndonjë krim që ata mendojnë të jetë kryer nga z. Fazlliç. Kjo gjë nuk është e habitshme, pasi zoti Fazlliç nuk është hetuar kurrë, e jo më të jetë dënuar, për asnjë krim, në asnjë kohë, në asnjë vend të botës. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se çdo njëra dhe të gjitha akuzat që janë hedhur kundër tij këto muajt e fundit nga media të caktuara apo përfaqësues të opozitës politike, nuk janë gjë tjetër, veçse histori imagjinare të projektuara për të dëmtuar politikisht qeverinë aktuale. Në mënyrë të vazhdueshme, këto akuza janë bërë pa asnjë referencë në çfarëdo lloj fakti të konfirmuar apo burim zyrtar e në shumë raste, ato kanë rënë ndesh me informacionin e njohur publik. Kështu për shembull, ndonëse u akuzua fillimisht nga media se z. Fazlliç kishte kryer pastrim parash, pasi një kompani e pretenduar si e pavlerë ishte shitur për 1.75 milionë euro, zbulimi që në fakt kjo kompani kishte të pasqyruar në bilancin e saj tokë me vlerë 1.75 milion euro, aset i raportuar edhe tek autoritetet tatimore, vërtetoi se këto akuza ishin krejtësisht të pavërteta. Në mënyrë të ngjashme u pretendua se në blerjen e tokave në zonën e Porto-Romanos në periudhën 2006-2007, z. Fazlliç veproi mbi informacion të fshehtë dhe të privilegjuar se kjo tokë do të caktohej park industrial. Këto pretendime injoruan faktin lehtësisht të verifikueshëm që projekti i parkut energjetik në Porto-Romano ka qenë dije publike që në vitin 2004. Për më tepër, z. Fazlliç nuk ishte as personi i parë dhe as personi i vetëm që ka blerë tokë në Porto-Romano. Të paktën 13 kompani të tjera kanë blerë gjithashtu tokë në këtë zonë, shumica e tyre para se të blinte z. Fazlliç. Madje, në këtë zonë ishin ndërtuar depozita private karburanti që para se z. Fazlliç të bënte blerjen e parë atje”, - u shprehën avokatët.

Akuzat për Fazlliç

“Sado e trishtueshme, shembujt e mësipërm nuk janë të vetmit. Megjithëse z. Fazlliç ka demonstruar vazhdimisht se akuzat kundër tij janë të pabaza, pas çdo akuze të provuar, e pabazë, rishtas ngrihen akuza të reja. Për këtë arsye, duke qene se duket e pamundur për të ndaluar këtë vërshim shpifjesh e pretendimesh të pabaza, ne përfitojmë nga rasti për t’u kujtuar të gjithë atyre që janë përgjegjës për botimin e shpifjeve të motivuara politikisht rreth zotit Fazlliç dhe bizneseve të tij, se veprimet e tyre nuk kalojnë pa u vënë re dhe ata mund të bëhen përgjegjës përpara ligjit. Ndoshta disa elementë të medias në Shqipëri mendojnë se njerëzit janë budallenj, se njerëzit besojnë çdo gjë që lexojnë dhe se në Shqipëri individi është fajtor derisa të provohet i pafajshëm. Zoti Fazlliç nuk ndan një mendim të tillë të ulët për njerëzit apo për ligjin. Kjo është arsyeja që ai dëshiron t'i çojë përpara projektet e tij në Shqipëri, duke ndihmuar kështu edhe në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenies së vendit. Sidoqoftë, për shkak të hetimit këto plane janë në pritje, e projekti i tij i rrezikuar. Ndonëse zoti Fazlliç vazhdon të jetë i shqetësuar nga mungesa e profesionalizmit e disa mediave shqiptare dhe nga dështimi i tyre për të respektuar standardet etike dhe profesionale, ai mbetet i palëkundur në respektimin e ligjeve të Shqipërisë dhe pret me padurim që prokurorët të përfundojnë hetimin e tyre, në mënyrë profesionale dhe të paanshme. Ai mbetet me besimin e plotë, që hetimi do ta shfajësojë krejtësisht”, - përfundojnë avokatët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›