E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët, afat deri në fund të prillit për të shlyer detyrimet financiare



Laureta Rryçi

Tiranë - Avokatët kanë afat deri në fund të këtij muaji për të shlyer detyrimet vjetore. Burime nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë shpjeguan dje për gazetën “Albania” se gjatë këtij muaji ndaj tyre lind detyrimi jo vetëm për të shlyer taksën vjetore ndaj Dhomës së Avokatisë, por edhe ndaj zyrës së tatimeve. Këtij procesi pritet t’i nënshtrohen më shumë se 2000 avokatë, në mënyrë që të mos hasin pengesa të mëtejshme për të asistuar në proceset e klientëve të tyre. Afati për shlyerjen e këtyre detyrimeve ka nisur që më 1 prill.
Detyrimet
Avokatët që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në vend, në ditët e para të muajit maj duhet të kenë marrë dy karta. E para lëshohet nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, pas shlyerjes së detyrimeve financiare, dhe e dyta ka të bëjë pikërisht me kartën e identitetit. Burime pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë shpjeguan se tarifa që paguhet nga avokatët është 12 mijë lekë për çdo vit. Ndërsa detyrimet financiare në zyrat e tatimeve kanë të bëjnë me shuma shumë herë më të mëdha. Kjo varet nga aktiviteti privat që ata deklarojnë. Nëse punojnë me avokatë të tjerë dhe kanë një studio ligjore, atëherë detyrimi është shumë herë më i madh. Sipas burimeve nga Tatimet, ky detyrim mesatarisht llogaritet të jetë më shumë se 100 mijë lekë të rinj për secilin. Ndërsa për kartën e dytë të gjithë avokatët duhet të bëjnë aplikimin për kartën e identitetit. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pikërisht për këtë arsye ka nxjerrë dhe një urdhër të posaçëm për penalizimet ndaj avokatëve.
Pasojat
Burime nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë shpjeguan se në fund të muajit prill do të bëhet bilanci se cili avokat ka shlyer detyrimet dhe cili jo. Emrat e atyre që nuk i kanë shlyer pagesat do të përpilohen në një listë, e cila do t’u shpërndahet të gjitha gjykatave. E gjitha kjo do të bëhet për të mos i lejuar këta avokatë që të ndjekin proceset për klientët e tyre pa paguar detyrimet financiare. Pajisja me dy karta pritet të sjellë dhe kaos nëpër gjykata nga avokatët, pasi numri i atyre që nuk kanë paguar është ende i lartë.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›