Çelet seksioni dygjuhësh, shqip-gjermanisht, në gjimnazin “Sami Frashëri”
Tiranë - Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, duke nisur nga viti shkollor i ardhshëm do të mund të regjistrohen në seksionin dygjuhësh, shqip-gjermanisht. Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan dje Memorandumin e Mirëkuptimit për hapjen e seksionit dygjuhësh, shqip-gjermanisht, në gjimnazin “Sami Frashëri”. Ministri i Arsimit, Fatos Beja dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Bokard, nënshkruan ditën e djeshme në MASH një Memorandum Bashkëpunimi për hapjen e një seksioni dygjuhësh gjermano-shqiptar në gjimnazin e kryeqytetit. Ky seksion, krahas mësimit intensiv të gjermanishtes, përfshin dhe mësimdhënien e lëndëve të caktuara në gjuhën gjermane, si matematikë, gjeografi, fizikë dhe kimi. Në fund të shkollës këta nxënës kanë mundësi t’i japin provimet e Maturës në shqip dhe gjermanisht. Gjithashtu, gjuha e huaj, gjermanisht, do të ofrohet edhe në shkollat 9-vjeçare “Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim de Rada”.
16 Prill 2009