E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, kundër aplikimit të Shqipërisë për në BE

Ambasadori gjerman e këshillon qeverinë të mos nxitohet. “Tashmë ndodhemi në qendër të një krize ekonomike”

Eljona Ballhysa
Një ndër vendet kryesore të Bashkimit Europian, Gjermania, është shprehur kundër aplikimit të Shqipërisë në këto momente për statusin e vendit kandidat në BE. Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Bokard, ka deklaruar dje se Gjermania dhe e gjithë Europa gjenden në qendër të një krize ekonomike dhe e kanë shumë të vështirë të pranojnë anëtarë të rinj. Sipas tij, qeveria federale e Gjermanisë po sugjeron vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos marrin hapa të tillë për momentin, pra të mos aplikojnë për statusin e vendit kandidat në BE. Një deklaratë e tillë e ambasadorit gjerman vjen pas deklaratave të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare, të cilët duken të vendosur për të aplikuar për statusin brenda muajit prill. Bokard ka komentuar për mediat dhe shanset e Shqipërisë për të përfituar liberalizimin e plotë të vizave me vendet e anëtare të BE-së.
Statusi
“Kërkesa për në Bashkimin Europian është një vendim sovran dhe i pavarur i qeverisë shqiptare. Qeveria federale nuk është duke sugjeruar për hapa të një procesi të tillë. Tashmë ndodhemi në qendër të një krize ekonomike dhe është vështirë t’i informosh qytetarët europianë për hyrjen e anëtarëve të rinj. Pas kapërcimit të krizës do të ishte momenti më i mirë. Tashmë tregjet financiare duket se po rimarrin veten”, - është shprehur ambasadori gjerman, i cili e ka bërë këtë deklaratë gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit për futjen e gjuhës gjermane në shkollat 9-vjeçare në Tiranë. Vetëm pak ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, gjatë një takimi në Elbasan, u shpreh se qeveria shqiptare do të aplikojë shumë shpejt për statusin e vendit kandidat në BE. Madje disa agjenci të huaja lajmesh citonin datën 28 prill si datën e aplikimit të qeverisë shqiptare për statusin e vendit kandidat në BE. Qeveria shqiptare u duk e vendosur për të aplikuar pas deklaratës së fundit të kryetarit të Komisionit të Ligjeve të Çekisë, i cili, gjatë një vizite në Tiranë pak kohë më parë sugjeroi qeverinë shqiptare të aplikojë brenda presidencës çeke të BE-së. Ndërkohë që deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, ajo e Oli Ren dhe e Doris Pak, apo e ministrit të Jashtëm çek, sugjerojnë qeverinë shqiptare të mos nxitohet.
Vizat
Ambasadori Bokard është shprehur dje se liberalizimi i vizave do të mund të realizohet vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet. “Pasaportat e sigurta nga falsifikimi është kushti paraprak për liberalizimin e vizave. Këto duhet të njihen nga shtetet e hapësirës Shengen. Procesi është në vijim e sipër dhe krahas saj, vendet e Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një hartë të mënyrës se si do të procedohet për liberalizmin e vizave. Kushte të tjera janë lufta ndaj korrupsionit, sigurimi i kufijve, lufta ndaj trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike”, - tha Bokard.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›