Idrizi: “Qeveria po e falimenton biznesin e vogël duke u rritur taksat”
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka shprehur shqetësimin në lidhje me situatën e rënduar në të cilën gjendet sektori i biznesit të vogël në Shqipëri. Deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, tha dje në një konferencë për shtyp se kjo situatë, aspak e favorshme për biznesin e vogël, është krijuar si rezultat i politikave të gabuara fiskale të qeverisë dhe të efekteve të krizës ekonomike, të cilën qeveria e ka anashkaluar. Deputeti socialist tha se qeveria “Berisha” jo vetëm nuk mbajti premtimin e bërë në zgjedhjet e vitit 2005, por sanksionoi Tatimin mbi të Ardhurat për biznesin e vogël, duke e rritur barrën fiskale me 300%, duke e tatuar këtë sektor si të ishte biznes i madh apo biznes VIP. “Qeveria aktuale, një nga premtimet më të bujshme në fushatën elektorale të vitit 2005, kishte përgjysmimin e taksës për biznesin e vogël nga 3% në 1.5 % të xhiros. Nga kjo ulje bizneset e vogla do të përfitonin nga 120 dollarë në vit, e madje me këto para do të bënte dhe investime dhe do të punësonte njerëz. Por vetëm 2 vjet më pas, po kjo qeveri u vendosi me ligj, në kuadrin e taksës së sheshtë, një tatim të ri, Tatimin mbi të Ardhurat, e kjo në nivelin e 10%, duke ia u rritur në këtë mënyrë barrën fiskale biznesit të vogël me 300%. Madje të barabartë me tatim fitimin e biznesit të madh dhe VIP”, - tha Idrizi. Sipas tij, e gjithë kjo politikë fiskale e qeverisë po rrënon bizneset dhe po nxjerr në rrugë mijëra të punësuar në to. Nisur nga kjo situatë, Idrizi ka kërkuar në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që qeveria të marrë një sërë masash. “I kërkojmë qeverisë që në këtë periudhë krize të heqë për biznesin e vogël, por jo vetëm për të, të gjithë barrën fiskale antiligjore të vendosur nëpërmjet sistemit të referencave, të heqë praktikat antiligjore, që u cakton bizneseve pagat, çmimet e shitjes dhe blerjes, numrin e të punësuarve, rentabilitetin etj. I kërkojmë qeverisë t’i kthehet parimit themelor të administrimit fiskal të vetëdeklarimit, duke i kthyer tatimet nga gjoba në kontribut për shoqërinë”, - tha Idrizi.
16 Prill 2009