Biberaj përshëndet qëndrimin francez për zgjerimin e BE-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka përshëndetur dje qëndrimin francez për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, qëndrim i shprehur nga sekretari francez i Shtetit për Çështjet Europiane, Bruno Le Mer. Biberaj vlerëson se “zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë dhe mbetet prioritet dhe sfidë e rëndësishme e politikës së re europiane. Integrimi sa më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE u shërben më së miri paqes dhe stabilitetit afatgjatë jo vetëm të rajonit të trazuar të Ballkanit, por edhe të vetë Europës”. “Qëndrimi francez vjen në momentin e duhur për Shqipërinë, pasi siç dihet, tashmë Shqipëria pritet të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda presidencës çeke”, - gjykon Biberaj.
Patozi vazhdon turin parazgjedhor me takime në komunat e Durrësit
Nënkryetari i Partisë Demokratike zhvilloi dje takime me banorë të komunave Xhafzotaj, Gjepalaj dhe Katund i Ri. Në to ai deklaroi krijimin në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit të një koalicioni të gjerë të partive të djathta në drejtimin e Partisë Demokratike. “PD-ja do të hyjë në këto zgjedhje në krye të një koalicioni të madh fitues, si lokomotiva e progresit të madh të Shqipërisë, progres i cili vihet re në çdo krahinë, qytet, komunë e fshat”, - është shprehur Patozi. Duke u ndalur te mungesa e alternativave të së majtës, kreu i Grupit Parlamentar demokrat tha se programi që shpalli dy ditë më parë kryetari i PS-së, me slogane bajate të tipit “do të ecim përpara me forcat tona” apo “do të prodhojmë bukën në vend”, janë dëshmi se në kampin e opozitës kanë rënë kambanat e humbjes.
16 Prill 2009