E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët e Metës: Video montazh, por Prifti nuk dëgjon nga veshët

TIRANE-Avokatët e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta kanë reaguar sot lidhur me pretencën e prokurorisë për dënimin me 2 vjet burg të klientit të tyre. 

Spartak Braho në cështjen për video-përgjimin e Priftit theksoi se ekspertët provuan se video ishte montazh dhe aspak origjinale,  porse shtuan ata "Prifti është i pabesueshëm në cfarë thotë dhe vazhdon të mos bindet ndaj fakteve".

Sipas tij, Prokuroria është kthyer në shërbëtore të politikës së rrugës. Spartak Braho ka deklaruar se do të respektohet çdo vendim që do të jepet nga organi suprem, Gjykata e Lartë, ndërkohë që ka theksuar se pafajësia e Metës është tashmë e qartë.

"Ajo që pamë e dëgjuam në këtë seancë, kur shpresonin që prokuroria të reflektonte, ishte që për të shpëtuar nga mbytja ajo u kap me dhëmbë pas kamerdares së shpuar të mashtruesit të vitit”, tha Braho.
Sipas tij, "pafajësia e Metës, e kërkuar nga mbrojtja, është evidente sepse e tillë është e vërteta". "Prokuroria në kërkesën e saj sot provoi edhe njëherë se mbeti në mjerim të thellë profesional dhe ligjor për argumentet ku u mbështet. E shtrënguar nga mungesa e provave, por dhe paaftësia, ne pamë se si asaj iu rrëzuan të gjitha pseudo-argumentet, prej të cilave ajo u detyrua të hiqte dorë edhe vetë në procesin gjyqësor, duke parashembur kalanë prej rëre të ndërtuar me pasion kriminal", u shpreh Braho.

I pyetur se çfarë do të bëjë mbrojtja nëse Gjykata vendos, sipas kërkesës së Prokurorisë, ai u shpreh se "ne do të respektojmë çdo vendim të dhënë nga organi suprem, nga Gjykata e Lartë”

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›