Avokatët ikin nga Nazim Bllaca

“Jo nuk do ta mbroj Nazim Bllacën. Filluan për anash të më qortojnë rrethina se mund të kem pasoja unë edhe të tjerët, sepse jemi familje e gjerë”, ka thënë Emin Shkodra, duke mos dashur të japë shpjegime të mëtejme për këtë rast.
Ish- agjenti i vetëshpallur i SHIK-ut, Nazim Bllaca, rrezikon të mbetet pa mbrojtës ligjor. Rasti i rëndë dhe mjaft i ndjeshëm po detyron shumë avokatë, edhe përkundër ndëshkimeve që mund ta marrin, të heqin dorë nga mbrojtja e Bllacës.
Avokati Emin Shkodra, i cili ishte caktuar nga Gjykata, që sipas detyrës, ta mborojë Bllacën, ka paraqitur dorëheqjen e tij.
Avokati Shkodra pranon se përkundër përvojës së tij të gjatë në profesionin e avokatisë, ky rast është i ndjeshëm dhe se frikësohet nga ajo çka mund t’i ndodhë atij, apo edhe familjes së tij, shkruan Kosova sot.
Shkodra është munduar të arsyetohet se dorëheqja e tij nga mbrojtja e Bllacës nuk ka të bëjë vetëm me këtë.
“Ka shumë arsye për këtë, por kryesorja është se e kam thyer këmbën, dhe jam operuar dhe nuk mund të rri ulur. Unë jam tash e 50 vjet kundërshtar i dikujt dhe kurrë nuk jamë frikësuar, edhe pse mu kanë kërcenuar, por unë vetëm e kam kryer punën time zyrtare”, ka thënë ai./Indeksonline/