E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia s’i prek kriminelët

Ligji për amnisti nuk do të bëhet për pjesën verore dhe as jugore, ky ligj do të jetë për krejt Kosovën. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Ai në një intervistë për “Express” theksoi se askush nuk duhet të krijoj iluzion se do të falen kriminelët dhe as shërbimet sekrete të pasluftës.

Sipas tij, në Kuvend do të përcaktohet periudha kohore e amnistisë.

“Në fillim kur është menduar Ligji për amnisti, në kohën kur jam bërë ministër, por edhe tash, nuk është menduar që të ketë amnisti për një grup të njerëzve, për një entitet apo për një territor, por për vepra të caktuara dhe pastaj do të jetë për gjithë territorin dhe për gjithë njerëzit që mund të preken. Edhe kësaj radhe nuk do të ketë propozime që mund të quhen të veriut apo të jugut ose vetëm serbë ose vetëm shqiptarë. Do të ketë barazi para ligjit edhe në kuptimin pozitiv”, tha Kuçi.

Se si do të amnistohen një pjesë e strukturave të Serbisë që ka funksionuar në Kosovë, Kuçi tha “Unë besoj se Kodi Penal jep mundësi me i parapa vepra të caktuara dhe po ashtu jep mundësinë edhe me i amnistu. Por, gjithmonë është fjala për ata që nuk kanë bërë krime ordinere. Nuk ka pasur as iluzion se duhet të amnistohen kriminelët. Por, duhet ta pranojmë një fakt se as Serbia nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Është fjala për kriminelët, që mund të justifikohen me vrasje dhe vepra penale të ndryshme”. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›