E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët kundër pr.ligjit: Na kontrollon ekzekutivi

Tiranë- Forumi i Avokatëve të Shqipërisë ka kundërshtuar sot projektligjin “Për profesonin e Avokatit”, kaluar për miratim në Kuvend pak kohë më parë, duke e cilësuar atë jo vetëm antikushtetues, por dhe ‘shtrëngues’, pasi e vendos mbrojtjen ligjore në thundrën e ekzekutivit.

Në emër të 4000 avokatëve, forumi në një deklaratë të përbashkët ka sqaruar se komuniteti i profesionistëve nuk është pyetur lidhur me ligjin që duhet të rregullojë aktivitetin e tyre.

Sipas tyre, ky komunitet kaq i madh juristësh profesionist është mbajtur larg prej hartimit të këtij projekt-ligji, nuk është lejuar të marë dijeni rreth tij, nuk i është marë asnjë mendim, nuk i është dhënë ky projekt-ligj për diskutim në parim, dhe as nen për nen.

Madje, ata kanë shtuar se projekt-ligjin "Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë" e kanë siguruar në mënyrë ilegale, pasi është mbajtur dhe është trajtuar si "dokument sekret" me të cilin nuk duhet të njihen avokatët!

Projekt-ligji në fjalë, i cili pritet të diskutohet dhe të miratohet shumë shpejt nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në vend që të përmirësonte mangësitë e dukshme të Ligjit të vitit 2003, "Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë", ka bërë hapa serioze pas, duke i hapur shtegun shkeljeve të rënda të parimeve kushtetuese të parashikuara ne Kushtetutë.

“Në parim ky projekt-ligj e ka vendosur pozitën e institucionit të avokatisë, ose të mbrojtësit ligjor, siç theksohet në Kushtetutë, nën varësinë dhe ndikimin direkt të pushtetit ekzekutiv, nën varësinë dhe trysninë e organit të akuzës dhe të pushtetit gjyqsor.

Ky projekt-ligj i mohon haptaz mbrojtësit ligjor të drejtën kushtetuese të të qënurit palë, krahas organit të akuzës, në procesin penal”- thuhet në deklaratën e avokatëve.

Sipas saj, ky projekt-ligj i heq institucionit të mbrojtjes ligjore të drejtën për të qenë ndikues me pavarësinë e tij në pavarësinë e gjyqsorit dhe në dhënien e drejtësisë në bazë të ligjit, provave dhe fakteve në këtë vend, duke respektuar me rigorozitet prezumimin e pafajësisë për cilindo person, deri sa t'i provohet fajësia me vendim gjyqsor të formës së prerë.

“Projekt-ligji ka mangësi të mëdha për gjëra parimore lidhur me institucionin e mbrojtësit ligjor, ka përpjekje të hapura për t'a bërë këtë institucion sa më pa vlerë, sa më të pafuqishëm dhe më të padëgjushëm, me qëllim që t'i heq "de jure" dhe"de fakto" qytetarëve të këtij vendi të drejtën e mbrojtjes ligjore, me gjithëse kjo mbrojtje është një e drejtë parimore kushtetuse që gjenë pasqyrim në nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”- theksohet më tej.

Duke iu referuar pro.ligjit ata theksojnë se të drejtat e prokurorit jane thuajse pa kufi dhe të rregulluara me ligj, kurse mbrojtësi ligjor, i cili është shtylla e dytë e procesit penal, dhe shtylla e parë e procesit civil, nuk ka asnjë llojë të drejte.

Avokatët i kërkojnë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që jo vetëm të mos e fusë në rendin e ditës në Kuvend shqyrtimin e këtij projekt-ligji, por ta kthej atë për diskutim në grupin më të rëndësishëm të interesit dhe profesionalisht shumë lartë, sikurse është armata 4000 vetëshe e avokatëve të këtij vendi. Ndryshe, përmes një rebelimi pozitiv demokratik, për interesa madhore që lidhet me të drerejtat dhe liritë themelore të njeriut për garantimin e një procesi ligjor të drejtë, të rregullt e të bazuar vetëm në ligj, ata kërcënojnë se do e bëjmë të pazbatushëm këtë projekt-ligj, në se kthehet në ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›