E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët shtyjnë seancat me letër bakalli

26/02/2009  Proteston kryegjyqtari i Durrësit, Ervin Metalla, në lidhje me zvarritjet e proceseve

DURRES- Kryetari i gjykatës së rrethit gjyqësor në Durrës, Ervin Metalla, është treguar i ashpër ndaj të gjithë avokatëve, të cilët u kanë sjellë togave të zeza probleme serioze në ushtrimin e detyrimeve ligjore.

Vërejtjet

Një ditë më parë në një takim të zhvilluar në prani të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, kryetari i gjyqësorit në Durrës, ka pohuar në mënyrë publike se “Avokatët nuk ndiejnë asnjë lloj përgjegjësie për detyrimet ligjore që kanë”. Protesta e Metallës ka ardhur në një kohë që është bërë analiza e punës së gjykatës së Durrësit dhe Gjykatës së Apelit me një prani të drejtuesve kryesore të të dy institucioneve kyçe në Durrës. Madje kryetari i gjykatës Ervin Metalla fillimisht është bindur se në këtë takim ishte edhe kryetari i Dhomës së Avokatëve të Durrësit, Skënder Korriku për të lëshuar më pas akuzën e rëndë. “Avokatët shtyjnë seancat gjyqësore në mënyrë të përsëritur me një letër bakalli”,-ka thënë Metalla. Ai ka shfaqur shqetësimin e apeluar edhe herë të tjera në qendër të të cilit ka qenë mosfunksionimi si e sa duhet i një procesi gjyqësor. Dje i është bërë e ditur numrit dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë se gjykata e rrethit gjyqësor Durrës ende nuk ka listën e avokatëve të dhomës së avokatisë. “E kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur listën e avokatëve të licencuar, por dhoma e avokatëve nuk na e ka dhënë këtë informacion”,-ka pohuar Metalla, ndërkohë që kreu i avokatëve Korriku ka heshtur duke mos u ndier në asnjë rast për replikë me Metallën. Të njëjtën kërkesë të listës së avokatëve të licencuar gjykata e Durrësit e ka kërkuar edhe tek tatimorët, por edhe këta së paku për vitin 2008 nuk janë treguar të gatshëm. Kreu i gjyqësorit në Durrës ka theksuar se një sërë procesesh janë shtyrë për shkak se avokatët i paraqesin trupit të gjykimit një dokument që për Metallën është cilësuar i pavlefshëm, i parëndësishëm, jo autoritar dhe jo bindës.

Zvarritjet e proceseve

Por avokatët janë vënë edhe para disa qortimeve të tjera dhe që kanë të bëjnë me kohën e mbylljes së gjykimit të proceseve penale dhe civile. Metalla ka thënë se avokatët zvarrisin në mënyrë të qëllimtë paraqitjen e fakteve, provave, dokumenteve edhe materialeve në mbrojtje të klientëve të tyre. “Këta avokatë ofrojnë vetëm një material a provë për seancë duke deklaruar se kanë edhe 10,14,15 prova të tjera, të cilat janë paraqitur në 10,14 a 15 seanca”,-ka deklaruar kryetari i gjykatës. Ai nuk ka përjashtuar nga përgjegjësia edhe një pjesë të palës së akuzës si dhe të vet gjyqtarëve duke thënë se edhe këta kanë jo pak përgjegjësi në mosveprimet ligjore. Duke vijuar të flasë për problematikat me të cilët ndeshet gjyqësori në Durrës është thënë se një pjesë e seancave gjyqësore dështojnë për shkak të mosnjoftimit të dëshmitarëve. “Kemi shumë raste që fletëthirrjet tona ose shkojnë me vonesë tek dëshmitari i një procesi gjyqësor, ose posta na i kthen mbrapsht duke cilësuar se i kërkuari nga drejtësia nuk ka adresë”,-u shpreh Metalla. Sipas tij, pushteti vendor duhet të ndërmarrë sa më parë detyrimin për vendosjen e adresave, emërtimin e rrugëve, shesheve, lagjeve, pallateve dhe apartamenteve.

NEGLIZHENCA

“E kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur listën e avokatëve të licencuar, por Dhoma e Avokatëve nuk na e ka dhënë këtë informacion”,-ka pohuar Metalla, ndërkohë që kreu i avokatëve Korriku ka heshtur duke mos u ndier në asnjë rast për replikë me Metallën. Të njëjtën kërkesë të listës së avokatëve të licencuar gjykata e Durrësit e ka kërkuar edhe tek tatimorët, por edhe këta së paku për vitin 2008 nuk janë treguar të gatshëm. Kreu i gjyqësorit në Durrës ka theksuar se një sërë procesesh janë shtyrë për shkak se avokatët i paraqesin trupit të gjykimit një dokument që për Metallën është cilësuar i pavlefshëm, i parëndësishëm, jo autoritar dhe jo bindës.

ÇËSHTJET GJYQËSORE

Gjykata e Durrësit ka regjistruar 7747 çështjeve për vitin 2008 duke shënuar në këtë mënyrë fluksin më të madh të çështjeve penale dhe civile krahasuar me çdo vit. Krahas kësaj shifre mësohet se gjatë vitit 2008 togave të zeza u është dashur të marrin në dorë edhe 518 urdhër ekzekutimi dhe 946 kërkesa paraprake. Për drejtuesin e gjykatës së rrethit gjyqësor në Durrës më shumë se 70 për qind e çështjeve penale kanë përfunduar në një hark kohor prej 2 deri në 3 muaj me 3-4 seanca gjykimi. Për shkak të numrit jo të bollshëm një gjyqtar në Durrës ka marrë një vit deri në 500 çështje, kurse në cilësinë e gjyqtarit kryesues është vendosur për 215 çështje.

FLUKS NË APEL

Sipas statistikave që ka ofruar Metalla, më shumë se 70 për qind e vendimeve të trupit gjykues në Durrës janë apeluar në shkallën më të lartë në kërkesë për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë të gjykimit. Nga ana tjetër në Gjykatën e Apelit mësohet se ka një numër shumë të madh dosjesh që presin shqyrtim. Kryetari i Gjykatës së Apelit Petrit Çeno ka thënë se në vitin 2008 janë depozituar 2172 çështje dhe janë përfunduar së gjykuari 1456 çështje. Por Çeno ka saktësuar se këto janë dosje të mbartura nga viti 2007 e më tej, ndërkohë që ende Apeli nuk ka nisur të shqyrtojë vendimet e bëra objekt rekursi gjatë vitit 2008 për shkak të fluksit shumë të madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›