E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e funksionimit të pensioneve private

26/02/2009  Aktualisht në vend funksionojnë tre institute me kapital tërësisht vendas

AMF: Tregu privat, në fund të 2008-s ishte më shumë se 53 milionë lekë

Publikohet skema e funksionimit të pensioneve private. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë gati draftin për funksionimin e shtyllës së tretë të skemës së pensioneve në vendin tonë. Kjo skemë parashikon futjen e fondeve të pensioneve private dhe rregullimin e marrëdhënieve mes kontribuesve, përfitimeve të tyre dhe Autoritetit Mbikëqyrës.

Si ndahet skema

Në vendin tonë aktualisht funksionojnë dy shtylla të sistemit të pensioneve. Kolona e parë dhe e tretë. Kolona e parë është e detyrueshme, kolona e tretë është vullnetare. Shtylla e parë njihet më shpesh si kontributet e detyrueshme për pension. Është skema e pensionit të sigurt, pasi menaxhimi është publik pra bëhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, me financim të buxhetit të shtetit. Përfitimi i pjesëmarrësve në skemë është i përcaktuar dhe i rregulluar me ligj, në bazë të kontributeve që derdhin gjatë kohës që janë në marrëdhënie pune, si një përqindje mbi mesataren e të ardhurave mujore. Po nga ky institucion mbulohet edhe skema e pensioneve suplementare, disa të cilave nuk janë të bazuara te kontributet, siç është pensioni për personelin ushtarak.

Kolona private e pensioneve

Kolona e tretë e skemës së pensioneve private është vullnetare dhe bazohet tërësisht në menaxhimin privat të kontributeve, plotësisht të financuara. Edhe në këtë rast kontribut është i përcaktuar, por skema është individuale dhe profesionale. Marrëdhëniet janë të rregulluara me ligjin e vitit 1995 “Për pensionet suplementare dhe institutet e pensioneve private”. Në vendin tonë janë të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, tre institute që ofrojnë këto shërbime, të cilat janë ngritur dhe funksionojnë si të tilla prej vitit 2006. Të tri këto institute kanë kapital tërësisht vendas. Numri i kontribuesve në këto institute është rritur ndjeshëm gjatë vitit që lamë pas. Në fund të vitit 2007 ishin vetëm 2 872 persona kontribues në skemën e pensioneve private, ndërsa në fund të vitit 2008 ky numër arriti në 3 861 persona për të tre institutet, ose një rritje me 34, 4 për qind. Në të njëjtën mënyrë është zgjeruar edhe vlera e kontributeve në total. Në vitin 2007 shuma e kontributeve, sipas statistikave zyrtare të AMF-së, ishte më shumë se 32 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2008 kjo shumë ishte më shumë se 53 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 65 përqindësh.

Varësia

Ashtu siç shihet në skemë, fondet private të pensioneve nëpërmjet kompanive menaxhuese varen drejtpërdrejt nga AMF-ja, e cila i licencon, i mbikëqyr dhe i rregullon marrëdhëniet e varësisë mes tyre. Për kryerjen e transaksioneve është e detyrueshme përfshija e sistemit bankar, që në këtë rast kryen rolin e depozitarit. Ndërkaq, marrëdhëniet mes kontribuesve në skemë dhe kompanive menaxhuese rregullohen me anën e kontratave. Këto të fundit mund të jenë individuale, pra fond individual i pensionit vullnetar, ose kolektive dhe rregullohen nga punëdhënësi. Në këtë rast fondi i pensioneve profesionale.

Reforma

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar draftin e ligjit për kolonën e tretë, atë të fondeve të pensioneve private, i cili do të diskutohet nga të gjithë aktorët. Drafti është publik, ndërsa grupi i punës me aktorët kryesorë, përfshirë edhe ekspertët e Bankës Botërore, është duke punuar për reformimin e kolonës së parë. Në të njëjtën kohë ky grup do të prezantojë edhe kolonën e dytë të skemës së pensioneve në Shqipëri.

Alternativat

Aktualisht duhen reformuar një sërë elementesh në sistemin aktual të kontributeve të detyrueshme. Mes tyre përmenden formula e pensioneve, norma e kontributit, politika e indeksimit, evazioni, apo problemet që lindin për shkak të gjeografisë së shpërndarjes në zonat urbane dhe rurale. Në lidhje me kolonën e dytë të pensioneve duhet përcaktuar qartë mosha e hyrjes për pjesëmarrësit dhe ndarja e kontributeve ndërmjet dy kolonave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›