Avokati dhe asistencë falas për viktimat e dhunës

Mekanizmi Kombetar i Referimit te Rasteve te Dhunes ne Familje do te ngrihet dhe do te funksionoje per here te pare ne te gjithe vendin prane njesive vendore. Mekanizmi do te perbehet nga nje grup ekspertesh te te gjitha fushave dhe do te garantoje siguri per viktimat dhe do te reagoje menjehere ne rastet e identifikuara
Një strukturë e re, e përbërë prej ekspertësh nga të gjitha fushat do të identifikojë rastet e dhunës për t’u dhënë më pas asistencë dhe avokati falas. Nën moton “Dhuna është Krim! Dhuna vret, nëse ti hesht! Thuaji ndal dhunës në familje!” është organizuar nga Ministria e Punës dhe mbështetur nga PNUD, mbajtur me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, dhe në përmbyllje të fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave”, është prezantuar Mekanizmi Kombëtar i Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje. Në këtë konferencë mori pjesë Kryeministri Sali Berisha, kryeprokurorja Ina Rama, koordinatorja rezidente e OKB në Shqipëri Zineb Touimi-Benjelloun, ministri i Punës Spiro Ksera, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, zv.ministra, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, të organizatave ndërkombëtare dhe OJF vendase që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore.
Kryeministri Berisha theksoi se qëndrimi ndaj grave është një nga problemet themelore në kohët e sotme dhe, për këtë arsye, duhet që të angazhohen të gjithë për një përballje tërësore të këtij problemi. Edhe një herë Kryeministri shprehu angazhimin e vet për të bërë ndërhyrjet e nevojshme ligjore në mënyrë që shkaktarët e krimeve në familje të dënohen maksimalisht.
Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Touimi-Benjelloun, përshëndeti hapat e ndërmarrë nga qeveria për të plotësuar bazën ligjore dhe për të ngritur strukturat e nevojshme, me qëllim parandalimin e dhunës në familje dhe mbështetjen e viktimave të saj.
Ministri i Punës, Spiro Ksera theksoi se “fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave”, për herë të parë, u dha zë edhe grave nga zonat më të thella, grave rurale në Veri dhe Jug të vendit, pasi këtë vit fushata nuk ishte përqendruar në Kryeqytet, apo qendra të mëdha urbane, por aktivitetet sensibilizuese u shtrinë në të gjithë vendin, duke u fokusuar në problematikën e gruas rurale, e cila u bë edhe vetë protagoniste e kësaj fushate.
Zv.ministrja e Punës, Filloreta Kodra, prezantoi Mekanizmin Kombëtar të Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje, i cili do të ngrihet dhe të funksionojë, për herë të parë, në të gjithë vendin pranë njësive vendore. Mekanizmi do të përbëhet nga një grup ekspertësh të të gjitha fushave dhe do të garantojë siguri për viktimat dhe do të reagojë menjëherë në rastet e identifikuara.
“Pikërisht, duke marrë shkas nga përhapja e këtij fenomeni të zymtë në shoqërinë tonë, gjatë kësaj kohe janë ndërmarrë një sërë nismash për hartimin e politikave efiçente dhe përmirësime ligjore që sigurojnë mbështetje më të madhe për viktimat”, - tha Ksera.
Më tej ministri i Punës deklaroi se miratimi i ndryshimeve i hapi rrugën ngritjes së Strehëzës së parë Kombëtare për Viktimat e Dhunës në Familje, ngritjes të sistemit kombëtar të referimit, ofrimit të ndihmës ligjore falas dhe mbrojtje më të madhe për fëmijët viktima të dhunës në familje etj.
Po kështu, është bërë e mundur edhe ngritja e mekanizmit Kombëtar të Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje, ku pushteti vendor, do të përmbushë edhe një nga qëllimet e Ligjit, garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të viktimave të dhunës në familje. Modelet pozitive për funksionimin e sistemit të qëndrueshëm për adresimin e dhunës ndaj grave në disa bashki pilot, si Shkodër, Rrëshen, Pogradec, Berat e Vlorë do të shtrihen në të gjithë bashkitë e vendit.
Në ndryshimet e fundit ligjore parashikohet pajisja e gjykatave, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, me listën e avokatëve që do të japin asistencë falas për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare.
Kryeministri Berisha: Dënim ekstrem për këdo që vret gruan
Ndryshimet në Kodin Penal dhe përcaktimin e dënimeve më të ashpra për personat që ushtrojnë format ekstreme të dhunës ndaj gruas. Kjo është kërkesa e kreut të qeverisë, Sali Berisha, në takimin e mbajtur në kuadër të Ditës së të Drejtave të Njeriut ku deklaroi se qeveria shqiptare qëndron e vendosur për të luftuar dhunën ndaj grave. Berisha tha: "Dhuna ndaj grave kulmon në inkuizicionin që është bërë në histori ndaj grave dhe vazhdon deri në ditët e sotme, ku kombe ndër më të zhvilluarat regjistrojnë jo më pak se 600 mijë raste dhunimesh në vit", - tha Berisha, duke theksuar: "Ky është një nga problemet më themelore të kohës së sotme, pasi dhuna ndaj grave është një fenomen universal që ka të bëjë së pari me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, por edhe me emancipimin e burrave në një shoqëri".
Kreu i qeverisë garantoi se "qeveria ka një vetëdije shumë të thellë për pasojat e këtij diskriminimi dhe qëndron e vendosur për të luftuar dhunën ndaj grave. Këto janë vetëm fillimet e një përpjekje shumë të madhe për të ecur drejt barazisë gjinore, e cila faktikisht nuk ekziston, përderisa një grua punonjëse në administratë merr një rrogë rreth 30 për qind më të ulët se burrat", - tha Kryeministri, duke kërkuar angazhim për një përballje tërësore me këtë problem.
Kryeministri u bëri thirrje grave që të mos e ndërpresin luftën ndaj këtij fenomeni si lëmoshë nga burrat, por të ngrihen fuqishëm me forcën e moralit dhe të drejtat e tyre, sepse nga ky qëndrim valorizohet më tepër familja dhe shoqëria shqiptare. Duke evidentuar faktin se gratë në Shqipëri janë më të shkolluara se burrat, kreu i qeverisë nxiti gratë shqiptare që të vazhdojnë karrierën e tyre dhe të mos e sakrifikojnë atë për asnjë rast.
Gjykata, indiferente; problem mbrojtja e të dhunuarave
Legjislacioni shqiptar prej vitesh tashmë duket se ka ngritur kështjellën për të dhënë përgjigje të fortë dhunës ndaj gruas. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, është shprehur dje se tabloja e përgjithshme e legjislacionit është e plotë, por mangësi ka në ndonjë normë ligjore, praktikë, ku sipas saj, rezulton të ketë shfaqur problematikat e saj. Duke u ndaluar veçanërisht tek dhuna ndaj gruas, kryeprokurorja Rama tha: “Ajo që konstatohet, është një lloj indiferentizmi në vënien në lëvizje të gjykatës me kërkesa për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, duke e konsideruar këtë të drejtë si një të drejtë principale të viktimës”. Duke iu drejtuar prokurorëve, Rama kërkoi qëndrim të unifikuar ndaj këtyre proceseve në mënyrë që të rritet zbatimi i masave kundër dhunës në familje. Kjo qarkore ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e prokuroreve në intensifikimin e luftës kundër dhunës në marrëdhëniet familjare dhe zbatimin e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, Konventës Evropiane të të Drejtave të njeriut, Konventës mbi Eliminimin e të Gjitha formave të Diskriminimit ndaj Grave, Kodin e Procedurës Penale, Kodin Penal, Kodin e Familjes dhe ligjit nr. 9669 datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.