I vidhen paratë, dyshohet se ia ka marrë e bija
Disa ditë më parë, një grua e shqetësuar ka kryer denoncim pranë komisariatit të Krujës se i kishin vjedhur në shtëpi shumën e 180.000 lekëve. Menjëherë pas kësaj, forcat e policisë kanë nisur të hetojnë mbi pistat se kush mund t’i kishte shkuar asaj në shtëpi për të vjedhur dhe ka rezultuar i çuditshëm fakti se mund të ketë qenë pikërisht e bija, ajo që ia ka gllabëruar ato fshehurazi. Sipas policisë, denoncuesja është një grua 51-vjeçare që mban inicialet E. V., ndërsa vajza e saj është 13 vjeçe. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga ana e policisë, rezulton se 13-vjeçarja mund të jetë edhe autore e mundshme e kësaj vjedhjeje, pasi nga deklarimet e shokëve dhe shoqeve të saj, për një periudhë 1-mujore, ajo ka shpenzuar çdo ditë shuma të konsiderueshme parash në shkollë. Po kështu, rezultoi se këtë vjedhje vajza 13-vjeçare e ka kryer në bashkëpunim edhe me tre persona të tjerë, për të cilët po punohet për t’i identifikuar. Materialet proceduriale për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”, i kaluan për ndjekje prokurorisë së rrethit Krujë.