Wikileaks, Kina e gatshme të “braktisë” Korenë e Veriut

Ndersa Wikileaks boton me shume mesazhe diplomatike, sekrete te amerikaneve, nje prej tyre sugjeron se Kina mund te mbeshtese ribashkimin e Koreve.
Dy zyrtarë kinezë të nivelit të lartë thonë se i kanë bërë të ditur një homologu të Koresë së Jugut se Kina e vlerëson shumë pak Korenë e Veriut si një aleat dhe se gadishulli duhet të vijë nën kontrollin e Jugut - për sa kohë që shteti i ri nuk është armiqësor ndaj Kinës.
Aleatët e harruar
Megjithatë, është e vështirë të mendohet se shumica e atyre të interesuar për Kinën do të besonin se Pekini do të pranonte një Kore të bashkuar nën kontrollin e Seulit.
Është e qartë nga këto mesazhe të bëra publike se disa kinezë nuk e konsiderojnë Korenë e Veriut si një aleat të përdorshëm, por sugjerimi se qeveria kineze do të braktiste Penianin ka pak kredibilitet, thonë analistët.
Kjo supozohet të jetë thënë nga një zyrtar i lartë koreanojugor gjatë një dreke me ambasadorin amerikan atje.
Ai i ka thënë zyrtarit amerikan se Koreja e Veriut ishte shkatërruar ekonomikisht dhe se do të shpërbëhej edhe politikisht brenda dy-tri viteve, por analistët thonë se parashikime të tilla janë bërë edhe në kohën e Kim Il Sunit, babait të Kim Jong Ilit.
Këto mesazhe nuk japin fakte konkrete në të cilat bazohen zakonisht diplomatët për të kuptuar se çfarë ndodh në Korenë e Veriut.
Kina reagon
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hong Lei, u ka bërë thirrje SHBA-ve që të merren në mënyrë adekuate me dokumentet e rrjedhura, por nuk adresoi asnjë akuzë specifike që lidhet me përmbajtjen e mesazheve ku përmendët Kina.
Më herët, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, premtoi veprime të fuqishme kundër atyre që i dhanë informacionin Wikileaks.
Ajo tha se këto zbulime nuk janë vetëm një sulm ndaj interesave të politikës së jashtme të Amerikës.
"Është një sulm ndaj bashkësisë ndërkombëtare, aleancave dhe partneriteteve, bisedave dhe negociatave që mbrojnë sigurinë globale dhe që avancojnë prosperitetin ekonomik", - tha zonja Clinton.
Ajo tha se partneriteti për të cilin administrata e Presidentit Obama ka punuar aq shumë për ta ndërtuar, do ta përballojë edhe këtë sfidë.