Prapaskenat e pavarësisë së Kosovës dhe dilemat e Francës

Deri me 26 tetor te vitit 2007, pra tre muaj perpara shpalljes se pavaresise se Kosoves, Franca mendonte qe te njihte pavaresine vetem ne fund te vitit 2008 dhe jo menjehere pas shpalljes
Deri më 26 tetor të vitit 2007, pra tre muaj përpara shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Franca mendonte që të njihte pavarësinë vetëm në fund të vitit 2008 dhe jo menjëherë pas shpalljes, sikundër edhe bëri tre muaj më vonë. Në një analizë të ambasadorit francez në Paris, që është botuar nga Wikileaks, përpara vizitës së Presidentit francez Nikola Sarkozi në Uashington, qartësohet se Franca ishte pranë Kosovës në debatin me Serbinë dhe se po tentonte bashkimin e qëndrimit të vendeve të BE-së për pavarësinë e Kosovës.
“Lobim në BE”
“Kjo është një mundësi për Presidentin që të riafirmojë vendosmërinë e Sarkozisë për një Kosovë të pavarur. Sarkozi ka deklaruar disa herë që ai mbështet pavarësinë e Kosovës dhe ka udhëzuar MJ (ministrin e Jashtëm red.) Kushner që të kërkojë aktivisht konsensusin e BE-së për këtë çështje. Francezët gjithashtu na kujtojnë herë pas here se Kosova është një çështje evropiane në të cilën evropianët duhet të kenë përgjegjësinë kryesore për ta zgjidhur. QeF (qeveria e Francës red.) është pesimiste se Serbia dhe Kosova do të arrijnë një marrëveshje për statusin dhe po punon bashkë me SHBA-në dhe grupin e kontaktit për veprimet pas 10 dhjetorit. Francezët mbeten të shqetësuar se ndërkohë që shtetet anëtare të BE-së mund të bien dakord që të mos e kundërshtojnë publikisht pavarësinë e Kosovës, BE-ja mund të mos arrijë në konsensus për bazën ligjore për një mision ESDP (Politika Evropiane e Sigurisë dhe Mbrojtjes red.) në Kosovë”, - thuhet në dokument.
“Lobim në Rusi”
Ndërkaq, dallohet se Presidenti Sarkozi kishte lobuar edhe pranë Presidentit të atëhershëm rus, Vladimir Putin, për Kosovën, por nuk kishte arritur ndonjë rezultat, ndërkohë që Franca dhe SHBA-ja ishin kundër një rezolute të re.
“QeF (qeveria e Francës red.) ka pranuar rezolutën 1244 si bazën për forcën ndërkombëtare në Kosovë dhe bie dakord me SHBA-në se nuk do të ishte avantazh të kërkohej një rezolutë e re. Sarkozi loboi tek Putini në Moskë për më shumë fleksibilitet rus, por nuk mori asnjë vendosmëri (nga Presidenti rus red.). SHBA dhe BE, do të argumentonte Sarkozi, duhet të demonstrojnë publikisht se një përpjekje me qëllim të mirë është bërë për të arritur në një marrëveshje”, - thotë dokumenti.
Jo përpara fundvitit
Franca në atë kohë nuk kishte ndërmend të njihte Kosovën përpara fundit të vitit 2007, në një përpjekje për të bindur shtetet e tjera që njohja të bëhej enbloc nga vendet e BE-së. Por, me sa duket, duke parë që diçka e tillë nuk arrihej dhe me shtysën e SHBA-së, Franca e njohu pavarësinë një ditë pasi ajo u shpall.
“Francezët nuk janë të përgatitur për të njohur pavarësinë përpara fundit të vitit 2007 dhe shpresojnë se SHBA-ja do të asistojë në bindjen e kosovarëve që është në interesin e tyre të jenë të durueshëm me BE-në. Sarkozi me shumë gjasa do të kërkojë që SHBA të punojë ngushtësisht me autoritetet kosovare për të koordinuar (SHBA, BE, Kosovë) për përafrimin e deklaratës të njëanshme të pavarësisë që tashmë është e pashmangshme, dhe të shmangë retorikën dramatike që do të turpërojë më tej Serbinë, inkurajimin e deklaratave të ngjashme në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut dhe të vendosë presion politik të brendshëm në vendet e BE-së si Greqia dhe Qiproja që kundërshtojnë publikisht pavarësinë e Kosovës”, - thuhet në dokument.
Kundër Pakos Ahtisari?
Ajo çka është më e papritura, është se Franca ishte kundër zbatimit të plotë të Pakos Ahtisari, të paktën deri në maj të vitit 2008, sipas një dokumenti tjetër, të shkruar nga ambasadori amerikan në Paris. Franca duket se kishte frikë nga roli që do të luante Rusia dhe Serbia në rajon, duke kërkuar që pakoja të zbatohej gradualisht dhe jo tërësisht.
“Franca e njohu pavarësinë e Kosovës menjëherë, por ende heziton për zbatimin e plotë (të Pakos Ahtisari red.), për shkak të rolit të mundshëm destabilizues të Serbisë (dhe Rusisë) në rajon. Është e rëndësishme që të sigurojmë Sarkozinë se, ndërkohë që ne duhet të vijojmë me implementimin e plotë të planit Ahtisari, ne biem dakord me Francën në rëndësinë që Serbia (ka red.) në mbajtjen e stabilitetit rajonal, dhe se politikat e SHBA-së do të mbeten në përputhje me vizionin tonë për integrimin euroatlantik të gjithë Ballkanit Perëndimor, përfshi Serbinë dhe Kosovën”, - thuhet në dokument.
Pavarësia “e pavarur” nga Rusia
Në një tjetër dokument, të botuar nga e përditshmja e Kosovës “Koha ditore”, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, ka deklaruar në një vizitë në Beograd se rezoluta në OKB nuk ka lidhje me pavarësinë e Kosovës, duke lënë të kuptohet se SHBA e priste që kjo rezolutë të mos kalonte.
“Është herët të thuhet nëse Rusia do të vërë veto apo jo mbi një rezolutë të KS të OKB-së që do të mbështeste statusin final të Kosovës. Në çdo rast, qeveria e SHBA-së e ka të qartë idenë, e di situatën e rezolutës dhe nuk ka ndërmend që të lejojë shmangie të situatës. Koha nuk është në anën tonë, kështu që duhet të veprojmë menjëherë”, - raporton fjalët e ndihmëssekretarit Fried, mesazhi diplomatik i ambasadës së SHBA-së në Zagreb.
Frid u ka thënë zyrtarëve kroatë se për t’i zgjidhur mospajtimet me Rusinë rreth Kosovës do të duhej angazhim personal i Presidentit të atëhershëm amerikan Xhorxh Bush dhe të Kancelares gjermane Anxhela Merkel me Presidentin e atëhershme rus, Vladimir Putin.
Kundër Koshtunicës, pro Tadiçit
Në të njëjtin dokument duket qartë se SHBA mbështet hapur Presidentin aktual të Serbisë, Boris Tadiç, dhe kundërshton Vojsllav Koshtunicën, të cilin për më tepër e krahason me Sllobodan Millosheviçin. “Është e rëndësishme që Beogradit t’i jepet perspektiva evropiane: Tadiçi e merr atë perspektivë. Koshtunica nuk e merr dot”, - ka thënë Frid.
Edhe më i ashpër në vlerësimin ndaj liderit tashmë opozitar të Serbisë, Koshtunica, është treguar Presidenti i atëhershëm i Kroacisë, Mesiç. Ish-Presidenti kroat e krahason Koshtunicën me Sllobodan Millosheviçin. “Është problem, sepse Kryeministri i Serbisë është një nacionalist i vërtetë serb, sikur Millosheviçi, dhe e përdor nacionalizmin për të fituar fuqi. Tadiçi, nga ana tjetër, është një demokrat dhe mendon si ne”, - i ka thënë Fridit Presidenti kroat, Mesiç.