Avokati i Falliç: “Nuk ka asnjë komunikim akuzë ndaj klientit tim”
Tiranë - Prokuroria nuk ka komunikuar akuzë biznesmenit Damir Fazlliç, edhe pse afati i hetimeve për të duket se ka mbaruar. Një prej mbrojtësve të tij ligjore, avokati Genc Gjokutaj i pyetur nga gazeta “Albania” shpjegoi se deri dje në mesditë, Prokuroria nuk i ka komunikuar klientit të tij ndonjë akuzë. Hetimet ndaj serbo-boshnjakut nisën më shumë se gjashtë muaj më parë, pasi dyshohej se kishte pastruar para në vendin tonë. Prokuroria vendosi për shtyrjen edhe për një muaj të afatit të hetimit ndaj biznesmenit, për të mësuar për fatin e letër-porosive, nëpërmjet të cilave është kërkuar informacion për transaksionet bankare dhe veprimtarinë e kompanive të Fazlliç. Nëpërmjet letër-porosive dërguar në Angli, Kroaci, Bosnjë, dhe Zvicër u kërkua informacion për veprimtarinë dhe llogaritë bankare të Fazlliç. Vonesa e zbatimit të këtyre letër-porosive bëri që Prokuroria të firmosë dhe për një muaj zgjatjen e afateve të hetimit, vendim i cili kundërshtohet tashmë nga serbo-boshnjaku. Në fund të prillit Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë për heqjen e sekuestros për pronat e biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç të sekuestruara me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme. Akuza urdhëroi bllokimin e pasurive të patundshme, që janë në emër të kompanisë “Croun Acquisitions”.
8 Maj 2009