Konflikti për pronën, vdes nga infarkti i moshuari, i biri godet me thikë 55-vjeçarin
Tiranë – Një konflikt pronësie ka shënuar një të vdekur dhe një të plagosur, këtë herë në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mbrëmjes së djeshme në zonën e quajtur Bërryli në Tiranë, ku tre persona janë konfliktuar me njëri- tjetrin për çështje pronësie.
Ngjarja
Grindja ka nisur në fillim mes Pëllumb Murataj dhe Kadri Ukës. Gjatë kësaj grindjeje Murataj ka pësuar infarkt në zemër dhe fatkeqësisht nuk ka mundur ti mbijetojë kësaj goditjeje duke ndërruar jetë në spitalin numër 1 në QSUT. Ndërkohë i biri i viktimës pas infarktit të pësuar nga i ati ka goditur me thikë 55 vjeçarin Kadri Uka i cili ishte kundërshtari i të atit për çështje pronësie. Policia ka mbërritur menjëherë në vend ngjarje dhe mësohet se ka shoqëruar djalin e viktimës, Ledio Murataj i cili është edhe i dyshuari kryesor për plagosjen e Ukës. Ky i fundit ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën edhe pse goditjet e thikës kanë qenë të rënda.
Rastet
Një tjetër ngjarje është plagosja e një djalë i ri në mes të Tiranës, fare pranë sheshit “Skënderbej”, i cili tani gjendet në spital nën kujdesin e mjekëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes së dy ditëve më parë, në afërsi të sheshit “Skënderbej”, pas Pallatit të Kulturës, thanë burime zyrtare të policisë së Tiranës. Specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, konfirmuan dje arrestimin e 20-vjeçarit Saba Kovaçi dhe Nezir Mustafaj, 26 vjeç. Po dy ditë më parë një 21-vjeçar plagosi me thikë 4 bashkëmoshatarë të tij. Ai është tashmë në kërkim nga policia e kryeqytetit, pasi dyshohet se gjatë një sherri për motive të dobëta ka plagosur me thikë katër të rinj. Katër të rinjtë kishin pasur një konflikt disa ditë më parë me Arnold Sulajn, i cili kur është përplasur për herë të dytë me ta, nuk i ka kursyer duke i qëlluar me thikë. Sherri mes tyre ndodhi në Rrugën e Kavajës, pranë një tuneli pallati. Personat kishin marrë plagë të lehta dhe pas mjekimit në spital u pyetën nga policia. Policia tha se autori është shpallur në kërkim. Rasti tjetër i takon një ngjarjeje në Korçë. Sipas policisë pas një sherri banal u plagos me thikë një 32-vjeçar. Të njëjtat burime thanë se goditja për pak i ka kushtuar jetën një 32-vjeçarit nga fshati Çaushli Komuna Pirg të Korçës. “Petraq Burnazi, pas një konflikti për motive të dobëta është dëmtuar me thike, dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Korçës, jashtë rrezikut për jetën. Autor i kësaj ngjarje është 29-vjeçari Istref Pilinci”, -thanë burime policore. Sipas të njëjtave burime i riu pasi ka goditur me thikë kundërshtarin e tij është larguar me shpejtësi duke u shpëtuar prangave të policisë. Policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa në ngarkim të 29-vjeçarit ka filluar ndjekja penale “Plagosje e lehte me dashje”.
8 Maj 2009