E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Durrësit”, seanca dështoi për të 75-ën herë



Tiranë - Dështon sërish procesi ndaj 16 të pandehurve të njohur si Banda e Durrësit. 75 seanca në më shumë se dy vjet kanë dështuar, duke shënuar një rekord historik në drejtësinë shqiptare, kur një proces gjyqësor nuk hap dot siparin.
Të akuzuar shpesh për manovra procedurale, avokatët kanë konfirmuar se profesioni i tyre nga mbrojtja ligjore e të pandehurve ka përfunduar në bllokues të procesit. Pavarësisht njoftimeve të njëpasnjëshme të gjykatës, mungesa e avokateve të cilët sjellin raporte mjekësore është kthyer në një loje e cila detyron trupën gjykuese që për çdo të enjte të bëjë apelin për palët në gjykim e më pas të njoftojë dhomën e avokatisë dhe ministrin e Drejtësisë për palën mbrojtëse. Në seancën e 75-të, njëri prej avokateve kishte paraqitur pranë trupit gjykues një raport mjekësor të marrë nga mjeku i fëmijëve. Leximi i tij në sall ka shkaktuar humor dhe batuta komike, duke harruar për momentin se aty duhej të gjykohej një prej bandave kriminale më famëkeqe në Shqipëri. Sipas mjekut pediatër, avokati kishte nevojë për pushim deri në datën 13 maj, datë pas të cilës gjykata do të tentojë sërish të hape procesin. Raportet mjekësore janë një armë të cilën avokatët e kësaj çështjeje po e përdorin me sukses, pasi në çdo seance njeri prej tyre rezulton të jetë i sëmurë dhe kjo ka ndodhur në mënyrë të rregullt plot 2 vjet rresht. Sipas vetë avokatëve, ata mund të vizitohen tek çdolloj mjeku.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›