E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria pushon çështjen Fazlliç, akuza e paaftë të hetojë krime ekonomike



Habjon Hasani

Tiranë - Dje skadoi afati hetimor për biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç dhe Prokuroria e Tiranës nuk kishte ndonjë akuzë për zotin Fazlliç deri dje në orën 12:00. Kjo do të thotë se automatikisht hetimet për këtë çështje bëhen “nul”. Por dyshimi është se nuk janë hetuar veprimet financiare të mikut të Kryeministrit. Hetimi do të behej i mundur vetëm në rast se dokumentet ekzistuese të sekuestruara nga organi i akuzës do të krahasoheshin me letër-porositë që prokuroria kishte dërguar në Zvicër, Qipro, Bosnje dhe në Londër. Asnjë letër-porosi nuk ka ardhur dhe në këto kushte (për vonesa që nuk varen prej saj) prokuroria mund të kishte argumentuar shtyrjen e afateve hetimore për hetimin e biznesmenit të shumëpërfolur. Nuk ndodhi kështu dhe hetimet u pushuan. Ndonëse letër-porositë mund të nxirrnin në dritë veprime dhe transaksione më të “rënda” se ato që zbuloi media, prokurorët nuk ndërmarrë asnjë veprim për të garantuar ardhjen e këtyre letër-porosive. Por duket se një dështim tjetër spektakolar i organit të akuzës është mungesa e hetimit në lëmin e prokurimeve dhe shit-blerjes së energjisë elektrike ku zoti Fazlliç rezultoi krejtësisht i implikuar.
Energjia
Ndonëse prokurorët kanë sekuestruar të gjitha praktikat antiligjore të KESH-it në prokurimin e energjisë elektrike, ku tendera prej qindra miliona eurosh bëheshin me email-e nga një kompjuter i KESH-it prokuroria nuk mendoi se ishte e volitshme të hetohej në këtë drejtim. Tenderat e energjisë elektrike janë më të mëdhenjtë që zhvillohen në Shqipëri. Epiqendra e hetimeve është firma “Croun Acquisitions”, e cila është formuar më 20 shtator 2005 me vendim të Gjykatës së Tiranës. Transaksioni bankar i lëvrimit të parave për blerjen e kompanisë “Croun Acquisitions” të Damir Fazlliçit nga Zvicra në Tiranë është bërë nga firma “Pluto International”, e cila rezulton në pronësi të Vojin Lazareviçit, pronar gjithashtu i kompanisë “Rudnap” dhe “Altaria Research Limited”. Prokurorët e dosjes “Fazlliç”, Dritan Reshka dhe Besnik Cani, gjetën pikërisht emrin e kësaj firme si dërguese nga Zvicra gjatë verifikimit që kryen në bankën (marrëse) shqiptare, ku Flutura Kola shkoi për t’i tërhequr “kesh”. Por të dhëna publike tregojnë qartazi se firma “Pluto International”, që bëri pagesën nga Zvicra, është në pronësi të Vojin Lazareviçit, pronar i “Rudnap”-it serb, që na ka importuar rreth 106 milionë euro energji në dy vitet e fundit.
Pyetjet
Gjatë seancës pyetësorë, prokurorët e pyetën zotin Fazlliç për origjinën dhe rolin e firmës “Pluto International”, por zoti Fazlliç refuzoi të jepte detaje. Nga ana tjetër, prokurorët kanë dërguar letër-porosi në Zvicër për të siguruar në mënyrë zyrtare të dhënat e kësaj firme, ndërsa paraprakisht dokumente zyrtare që mund të sigurohen kollaj në faqet elektronike të institucioneve zyrtare serbe kristalizojnë zotin Vojin Lazareviç si pronarin e kësaj firme. Në këto kushte është e qartë se njeriu që ka “paguar shpenzimet” ka qenë zoti Lazareviç, ndërsa deri në datën e transaksionit ai rezulton se ka kryer në Shqipëri tregti me energjinë elektrike dhe nuk ka negociuar asnjëherë shitblerje trojesh në Porto Romano. Kjo është një tjetër e dhënë që i bën prokurorët të verifikojnë nëse dërgesa prej 1.7 milionë eurosh mund të ketë ardhur si divident i pazareve me importin e energjisë elektrike dhe jo si pagesë e padeklaruar për blerje trojesh në Porto Romano, sikurse zoti Fazlliç pretendoi edhe publikisht. Damir Fazlliç nuk është sekseri apo ndërmjetësi që lidh prokurimet miliardere të KESH-it me kompaninë “Rudnap”, por ai është shitësi i energjisë, i “fshehur” pas markës “Rudnap”. Dokumente të publikuara pak kohë më parë në “Albania” hodhën dritë për ortakërinë domethënëse në mes të Tiranës mes Fazlliçit dhe Vojin Lazareviçit, ndërsa ky i fundit është pronari i grupit “Rudnap”. Gjithçka lidhet me firmën “Croun Acquisitions”, të cilën Damir Fazlliçi ia shiti vetes (nëpërmjet firmës së tij “Altaria Research Limited”) në mesin e vitit 2007, duke mos paguar asnjë detyrim ndaj shtetit.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›