E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Mediut për Gërdecin, Ardian Visha, kandidat i PS-së për KLD

Share

Mediu dhe Visha

Partia Socialiste në opozitë ka propozuar Ardian Vishën si kandidat të saj për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucionit më të lartë mbikëqyrës të drejtësisë shqiptare. Ardian Visha është aktualisht avokat i Fatmir Mediut në çështjen e Gërdecit dhe dikur zëvendësprokuror i Përgjithshëm në kohen që drejtonte prokurorinë Dhori Sollaku.

Propozimi është bërë sot në Komisionin e Ligjeve zyrtarisht nga Fatmir Xhafa në emër të opozitës dhe mësohet se është kundërshtuar vetëm nga Pandeli Majko.

Ardian Visha ka udhëhequr grupin e avokatëve të Mediut, duke sabotuar gjithë seancat gjyqësore derisa Mediu rifitoi imunitetin në shtator të vitit 2009 dhe rimbylli çështjen.

Ai po ashtu ka qenë avokat i Almir Rrapos, ish- shef kabineti i Ilir Metës, që u ekstradua në SHBA si dhe mbikëqyrës i grupit të avokatëve të Ilir Metës. Ai ka qenë avokat i trafikantit turk, Abdulselam Turgut, që u arratis pas një vendimi të Gjykatës së Apelit.

Propozimi vjen në kuadrin e zëvendësimit të vendit bosh në KLD që ka lënë Kreshnik Spahiu pas dorëheqjes, vend në të cilin Berisha ka kandiduar ish- drejtorin e Agjencisë së Kthimit të Pronave, Elvis Çefa. Propozimi i Vishës nga opozita i jep atij pak shanse të bëhet anëtar KLD dhe viktimave të Gërdecit edhe më pak shpresë se politika shqiptare do ta zbardhë ndonjëherë atë histori të ndyrë korrupsioni, ku pas lobimit të djalit të Sali Berishës lulëzoi një biznes që mori 26 jetë njerëzish.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›