E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon raportuesit e KiE-së, vlerësohet miratimi i planit të veprimit

Kreu i shtetit Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe njëkohësisht bashkëraportuesit për Shqipërinë: parlamentarin çek Tomas Jirsa, parlamentarin moldav Grigore Petrenco të shoqëruar nga Sekretari i Komisionit të Monitorimit të AP së Këshillit të Evropës, Bas Klajn, të cilët ndodhen në vendin tonë, në kuadër të një vizite zyrtare dyditore.
 

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit dhe anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vlerësuan dialogun e rivendosur midis mazhorancës dhe opozitës, të konkretizuar me “Planin e Rishikuar të Veprimit” në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, si një hap i domosdoshëm për të realizuar aspiratën e popullit shqiptar për integrim zyrtar në Bashkimin Evropian.
 

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi zhvillime të tjera parësore të vendit, mbi ecurinë e deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, mbi luftën kundër korrupsionit, për çështjet e pronave si dhe mbi hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011, për të cilat ndanë të njëjtën pikëpamje se “në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës”.
Bashkëraportuesit e Këshillit të Evropës për Shqipërinë vlerësuan rolin e rëndësishëm dhe moderator të Kryetarit të Shtetit për sa i përket zhvillimit demokratik dhe konsolidimit të institucioneve shqiptare duke ruajtur ekuilibrin mes forcave politike dhe duke shërbyer si garant i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, duke nënvizuar se “mbi këtë shembull intelektual e korrekt të zbatimit të detyrës më të lartë shtetërore duhet të orientohet e të veprojë klasa politike shqiptare në procesin e zgjedhjeve të afërta presidenciale”.
 

Parlamentarët evropianë e siguruan Presidentin Topi për gatishmërinë e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për të asistuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike, duke theksuar gjithashtu se “dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›