Avokati i Popullit, Kuvendi voton sot Igli Totozhanin
Pas marrjes së “OK” nga komisioni i ligjeve, kandidatuara e Igli Totozhanit për Avokatin e Popullit pritet të kalojë sot në seancën plenare.
Edhe pse e kanë konsideruar si një përzgjedhje politike, demokratët kanë deklaruar se do ta mbajnë fjalën e dhënë ,duke i dhënë bekimin Avokatit të Popullit Igli Totozani për tu zyrtarizuar si i tillë në seancën e sotme.
Vetëm pak ditë më parë pas dëgjesës publike Komisioni ad- hoc i ngritur nga Partia Socialiste për përzgjedhjen e kandidaturës për Avokatin e Popullit zgjodhi Igli Totozanin për këtë post.
Ndërkohë një tjetër çështje që do hasë debat në seancën e sotme plenare është edhe nisma e Partisë Socialiste për ndryshimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Dy ditë më parë Komisioni i ekonomisë e rrëzoi propozimin e PS-së për heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore.
Deputetët socialistë kanë kërkuar prej kohësh që për një pjesë të ushqimeve kjo taksë të ulet në nivelin zero, duke krijuar kështu më shumë mundësi për familjet me të ardhura të pakta.
Ndërkohë në rendin e ditës së seancë së sotme plenare janë përfshirë edhe një sërë projektligjesh si ai për ndryshimin e dekretit “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit, akti normativ për një ndryshim në ligjin “Për buxhetin e vitit 2011” të ndryshuar”, projektligji “Për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale” etj.