Avokati i Popullit: Plotësoni kërkesat e grevistëve
Avokati i Popullit, Emir Dobjani, ka zhvilluar një vizitë në mjediset ku disa tetra dhe paraplegjikë janë duke zhvilluar prej tre ditësh një grevë urie për plotësimin e kërkesave të tyre. Ai i ka bërë apel qeverisë që t‘i japë sa më parë zgjidhje çështjes së tyre, në mënyrë që këta invalidë të dalin sa më parë nga greva. "Ata nuk janë njerëz të zakonshëm, prandaj greva e tyre e urisë nuk duhet të zgjatet", tha Dobjani mjaft i shqetësuar për gjendjen e tyre. Sipas tij, këta janë njerëz të cilët kanë nevojë edhe në kushte normale për kujdesin e të tjerëve dhe në kushtet e grevës së urisë, gjendja bëhet edhe më e rëndë dhe më e përballueshme për shëndetin e tyre. Avokati i Popullit tha se ata meritojnë të kenë nga qeveria një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës, në mënyrë që kjo grevë të mos vazhdojë më, pasi rrezikon seriozisht shëndetin e invalidëve. "Institucioni i Avokatit të Popullit e ka marrë seriozisht kërkesën e tyre për rritje të pagës minimale për kujdestarët dhe jo vetëm 8 mijë lekë siç paguhen deri tani. Dhe ata që kanë makinë apo automjete të posaçme për të lëvizur duhet të kenë një minimum kompensimi nga ana e shtetit për plotësimin e kërkesave të tyre", tha Dobjani.