E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH lë pa punë 3 mijë mësues

Plot 3 mijë mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të duhen që t‘u thonë lamtumirë rrogave të tyre mujore, por edhe sigurimeve shoqërore. Kjo, jo për ndonjë arsye të veçantë, si punë jo e mirë, apo rezultate të dobëta në mësimdhënie, por se kështu ka vendosur ministri i Arsimit, Fatos Beja.

Në një udhëzim të datës 5 shkurt 2009, kreu i Ministrisë së Arsimit ka kërkuar prishjen e kontratës individuale me 3 mijë arsimtarë në të gjithë vendin. Ata do të kalojnë si mësues në dispozicion dhe do të paguhen vetëm në bazë të orëve të mësimit që do të kryejnë. Ky udhëzim i ministrit Beja nuk është publikuar as në faqen e internetit të këtij dikasteri, sikundër duhej të ndodhë për shkak të transparencës me publikun.

Ka qenë kreu i Federatës së Sindikatave të Arsimit, Xhaferr Dobrusha, ai që ka vënë dje alarmin lidhur me fatin e 3 mijë arsimtarëve që do të humbasin vendin e tyre të punës, në kundërshtim të plotë me kontratat kolektive të punës, që ata kanë nënshkruar me MASH-in.

Por, ndërsa Kodi i Punës përcakton punësimin e arsimtarëve mbi bazë të kontratave me afat, kreu i dikasterit qendror të arsimit në vend, Beja, ka menduar që ta ndryshojë këtë skemë dhe të përcaktojë pagesat e këtyre mësuesve vetëm mbi bazë të orëve të mësimit që ata do të duhet të gjëmojnë nga pas. "Udhëzimi numër 4 për pagesën e punonjësve mësimorë është në kundërshtim të hapur. Nga ky udhëzim largohen nga puna 3 mijë mësues, të cilët aktualisht janë të punësuar me kontrata", u shpreh përfaqësuesi i Federatës së Sindikatave të Arsimit.

Sindikalistët që mbrojnë të drejtat e arsimtarëve në vend kërkojnë anulimin e menjëhershëm të këtij udhëzimi.

Sipas kreut të tyre, Dobrushës, për nxjerrjen e një udhëzimi të tillë drejtuesit e Ministrisë së Arsimit nuk kanë negociuar me asnjë nga aktorët e interesit. Madje, për sindikalistët ky udhëzim i fundit hedh poshtë atë të dy viteve më parë të ish-ministrit të asaj kohe, Genc Pollo. Të gjitha këto kërkesa, Sindikata e Arsimit ia ka dërguar ministrit Fatos Beja nëpërmjet një letre.

Drejtuesit sindikalistë saktësojnë se kontrata e këtyre 3000 mësuesve të sistemit parauniversitar që kanë lidhur me Ministrinë e Arsimit ka afat njëvjeçar dhe nuk mund të ndërpritet në mes të vitit. Dobrusha thekson më tej se udhëzimi nuk mund të ketë fuqi prapavepruese, pasi ka dalë më 5 shkurt dhe e shtrin veprimin e tij më 1 janar. "Përveç shkeljeve ligjore, një dëm të pallogaritshëm pëson vetë shkolla, shton më tej sindikalisti Dobrusha, pasi shumë klasa do të mbesin pa mësim dhe mësuesit me orë do ta humbasin interesin".

Drejtuesit e Federatës së Sindikatave të Arsimit kanë paralajmëruar që në rast se nuk do të marrin një përgjigje pozitive lidhur me shfuqizimin e këtij udhëzimi do ta ndjekin këtë çështje edhe në rrugë ligjore e sindikale, pa përjashtuar asnjë nga format që parashikon kjo e fundit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›