E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Qeveria po perdor Policine e Shtetit per interesa private

Ermir Dobjani: “Nuk ka ligj që justifikon ndërhyrjen e policisë ndaj banorëve në Orikum”

Laureta Rryçi

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, është shprehur se Policia e Shtetit kohët e fundit është kthyer në shërbim të privatëve duke u ofruar shërbime falas. Shqetësimi i Dobjanit vjen menjëherë pas konflikteve të fundit ku është shfaqur si palë Policia e Shtetit. Por edhe shumë ankesa të qytetarëve për dhunën e ushtruar ndaj tyre nga ana e policisë kanë vënë në lëvizje komisionerët. Këta të fundit, pas një pune disaditore, kanë mësuar se kush dha urdhër që forcat speciale të iknin nga Fieri drejt Orikumit dhe për më tepër duke ushtruar dhunë ndaj banorëve. Pas analizimit të situatës, Dobjani ka përpiluar një rekomandim zyrtar për ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, kreun e uniformave blu Hysni Burgaj dhe ia ka dërguar për dijeni edhe kryeministrit Sali Berisha.
Ankesat
Sipas Avokatit të Popullit, në institucionin që ai drejton kanë bërë ankesa disa banorë të qytetit Orikum. Ata, përveç të tjerave, pretendojnë edhe për ushtrim dhune nga punonjësit e policisë së FNSH-së Fier në datat 27 dhe 28 tetor 2009. Sipas ankesave, dhuna është ushtruar gjatë protestave që banorët e Orikumit kanë bërë në këtë qytet për të ndaluar fillimin e punimeve në tokat që ata i kanë marrë në përdorim. Më tej Dobjani shpjegon se pasi janë njohur me ankesat, më 28 tetor është dërguar në Orikum një ekip ekspertësh, të cilët morën takim me një grup banorësh protestues, me kryetarin e Bashkisë së Orikumit, me drejtuesit e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë dhe drejtues të Policisë së Shtetit, të cilët kishin shkuar në Vlorë për këtë problem.
Konstatimi
Nga shqyrtimi i ankesave të banorëve, informacionit të dhënë nga kryetari i Bashkisë Orikum dhe nga drejtuesit e policisë vendore e asaj qendrore, si dhe dokumentacioni i administruar nga ana e komisionerëve, rezultoi se banorët protestues janë pajisur nga komisioni i ndarjes së tokës të NB Orikum me akte të marrjes së tokës në përdorim në bazë të Ligjit Nr. 7501 “Për tokën”. Më pas toka që ata kanë pasur në përdorim është shndërruar në truall dhe u është kthyer e kompensuar personave të tjerë. Pronarët e truallit kanë lidhur kontrata me shoqëritë ndërtuese për ndërtimin e pallateve. Nga KRRT-ja e Bashkisë Orikum janë miratuar lejet e ndërtimit për dy objekte, pallate, në favor të shoqërive ndërtuese, respektivisht “Enri sh.p.k.”, me Vendimin Nr. 8/8, dt. 17.12.2008 dhe “Ervis-En sh.p.k.”, “Binaj sh.p.k.”, “Beis sh.p.k.” e “Annabell sh.p.k.”, me Vendimin Nr. 8/4, dt. 17.12.2008.
Dobjani shpjegon se në këtë rast nuk do të marrin në shqyrtim rregullsinë dhe vlefshmërinë e këtij procesi për titujt e pronësisë dhe lejet e ndërtimit, sepse do të trajtohen në një rekomandim tjetër, por ka marrë në shqyrtim vetëm aspektin e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit. Në këtë rast, sipas komisionerëve, kemi të bëjmë me ofrimin e shërbimit për subjektet private. Gjithashtu edhe pretendimi i ankuesve për përdorim dhune ndaj tyre nga punonjësit e Policisë do të jetë objekt i një materiali tjetër.
Konflikti
Sipas Avokatit të Popullit, mbi bazën e lejeve të ndërtimit, subjektet ndërtuese kishin tentuar disa herë të fillonin punimet për ndërtimin e objekteve përkatëse, por ishin penguar nga banorët. Përballë kësaj situate, shoqëritë ndërtuese, gjatë muajit tetor 2009, në datat 12 dhe 13, i kanë drejtuar kërkesë, bashkëlidhur edhe lejet e ndërtimit, organeve të policisë vendore Vlorë për ndihmë dhe ndërhyrje me forca policie. Meqenëse në organet e policisë vendore kishin bërë ankesa edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mbrojtjes së Tokës Bujqësore Orikum për mbivendosje të pronave në vendin ku ishin miratuar lejet e ndërtimit, nga Komisariati i Policisë Vlorë i ishte kërkuar një informacion kryetarit të Bashkisë Orikum lidhur me konfliktin dhe për rregullsinë e dokumentacionit të shoqërive ndërtuese. Pasi nga Bashkia është konfirmuar rregullsia e dokumentacionit të subjekteve ndërtuese, shefi i Komisariatit të Policisë Vlorë, me shkresën nr. 179/9 prot. dt. 24.10.2009, i ka kërkuar zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Rasim Borishi, mbështetje me shërbime policie të FNSH-së. Zv.drejtori i Përgjithshëm Borishi, me shkresën nr.3891/1, prot. dt. 27.10.2009, drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, ndërmjet të tjerash konfirmon marrjen në konsideratë të kërkesës për mbështetje me Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë në momentin që policia e Vlorës do të kryente mbështetjen e subjekteve ndërtuese për fillimin e punimeve. Nga studimi i kërkesës së Komisariatit të Policisë Vlorë dhe nga përgjigjja e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është konstatuar se në ato shkresa nuk është pasqyruar baza ligjore e kryerjes së këtyre veprimeve mbështetëse me forca policie të Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të FNSH-së, të cilat varen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Pjesë nga rekomandimi...

Dobjani: “Drejtuesit e Policisë nuk e kuptojnë ligjin“
“Duke iu referuar Ligjit Nr. 9749, dt. 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, kreut IV, i cili rregullon marrëdhëniet e Policisë së Shtetit me persona dhe organizma të tjerë, dhe konkretisht Nenit 48, përcaktohet se: “1. Mbi bazën e kërkesës së personave juridikë e fizikë, publikë ose privatë, si dhe në varësi të mundësive që ka, Policia ofron shërbime policore shtesë kundrejt pagesës. 2. Llojet e shërbimeve dhe tarifat e pagesës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Në rastin konkret, edhe në takimin me kuadrot e mësipërm, shefin e Komisariatit dhe drejtorin e Policisë së Qarkut Vlorë, si dhe zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, doli që ata nuk e njihnin dhe nuk ishin në gjendje të kuptonin dhe interpretonin saktë dispozitën përkatëse”.

Shpjegimi i Dobjanit për Policinë e Shtetit

“Sikurse rezulton nga përmbajtja e Nenit 48 të ligjit, Policia e Shtetit e ka atributin ligjor të ofrimit të shërbimeve policore shtesë personave juridikë e fizikë, publikë ose privatë, kundrejt pagesës. Mirëpo megjithëse ka kaluar një afat më shumë se dy vjet që ligji ka hyrë në fuqi, nga pyetja e drejtuesve të Policisë dhe shkresat e mësipërme rezulton se nuk është miratuar akoma akti nënligjor, VKM-ja, e cila do të bëjë rregullimin ligjor lidhur me llojet e shërbimeve policore që ofron Policia dhe tarifat e pagesës për këto shërbime. Pra aktualisht kemi një boshllëk ligjor të pajustifikuar për rregullimin e këtyre marrëdhënieve juridike. Kujtojmë se në bazë të Nenit 129 të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’, ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe ministri që të nxjerrin aktet normative në zbatim të këtij ligjit brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij. Ne mendojmë se, përderisa nuk është plotësuar baza ligjore dhe përderisa në rastin konkret, nga personat juridikë privatë, subjektet ndërtuese, nuk është bërë ndonjë pagesë për shërbimin e Policisë, sikurse përcaktohet në ligj, Policia e Shtetit nuk duhet t’ua kishte ofruar këtë shërbim personave juridikë privatë, jo vetëm me punonjës të policisë të FNSH-së, por as edhe me punonjës të policisë vendore. Nëse nga ana e qytetarëve protestues do të kryheshin vepra penale ndaj subjekteve ndërtuese, policia e ka për detyrë ligjore që të ndërhyjë dhe të kryejë veprimet e nevojshme procedurale. Pra në rastin konkret ka shkelje nga Policia e Shtetit, sepse ka dërguar forcat e policisë pa qenë përcaktuar më parë nga qeveria, llojet dhe mënyrat e shërbimit policor që ofron ajo, si dhe pagesat përkatëse”.

6 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›