E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stringa: “Në PD, njerëzit pa vlera marrin më shumë poste”



Eljona Ballhysa
Një tjetër anëtar i Kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike, Omer Stringa, ka mbështetur idenë e zgjedhjes së kryetarit të PD-së nëpërmjet parimit “një anëtar, një votë”. Madje Stringa u shpreh dje për gazetën “Albania” se nëpërmjet këtij parimi duhet të zgjidhet edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së. Sipas anëtarit të Kryesisë, duhet që të ndahen postet partiake nga ato qeverisëse. Ai shprehet se zakonisht në Partinë Demokratike ka ndodhur e kundërta, njerëzit pa vlera marrin më shumë poste. Stringa gjithashtu komenton edhe mungesën e një kandidati për postin e kryetarit të Partisë përballë Berishës. Ai shprehet se ka shumë individë në PD që dëshirojnë të kandidojnë për këtë post, por, sipas tij, Berisha del fitues përballë cilitdo kandidati. “Të qenit kandidat për postin e kryetarit të PD-së është dëshirë e individëve të veçantë. Por, me fitoren që arriti Berisha në zgjedhje, i takon të jetë kandidati kryesor dhe fitues”, - është shprehur Stringa.
Zgjedhja
Anëtari i Kryesisë ka mbështetur zgjedhjen e kryetarit të partisë, por edhe të sekretarit të Përgjithshëm nëpërmjet parimit “një anëtar, një votë”. Ndërkohë që thekson se është shumë e vështirë që të gjitha strukturat e tjera të zgjidhen në bazë të këtij parimi. “Parimi ‘një anëtar, një votë’ është i rëndësishëm. Ka opinione që ky parim mund të shtrihet vetëm në zgjedhjen e kryetarit dhe kryetarëve të degëve. Por mund të shtrihet te anëtarët e Këshillit Kombëtar, te anëtarët e Kryesisë dhe në zgjedhjen e sekretarëve. Por unë mendoj se është shumë i vështirë për t’u aplikuar ky parim në zgjedhjen e të gjitha këtyre strukturave. Por mendoj se në ndryshimet që do t’i bëhen Statutit të partisë, të cilat do të miratohen në Kuvendin Kombëtar të 12 dhjetorit, është mirë të parashikohet ky parim në zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe të sekretarit të Përgjithshëm”, - është shprehur Stringa.
Ndarja e posteve
Stringa gjithashtu ka mbështetur edhe zërat në PD që propozojnë ndarjen e posteve qeveritare nga ato partiaket. Sipas tij, njerëzit nuk mund të mbajnë shumë poste pasi do të neglizhojnë ose njërin ose tjetrin. Ai propozon ndarjen e posteve në të gjitha nivelet dhe shprehet se duhet t’i jepet fund praktikës së shpërblimit me sa më shumë poste të njerëzve pa vlerë. Anëtari i Kryesisë së PD-së ka bërë të ditur se PD-ja e ka traditë që njerëzve pa vlerë t’i japë sa më shumë poste. “Unë i qëndroj parimit që nëse partia del nga opozita dhe merr pushtetin, pra bëhet maxhorancë qeverisëse, postet duhen ndarë. Por gjithashtu mendoj se nëse do të ndahen postet, ato duhet të ndahen në të gjitha nivelet e qeverisjes. Dhe të mos ndodhë ashtu siç ndodh rëndom në PD, ku personave pa vlera u kemi dhënë më shumë poste, madje dhe ato që nuk i takojnë”, - është shprehur Stringa. Pro ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake janë shprehur dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë së PD-së. I pari që e hodhi këtë ide ishte Fatos Beja, i cili tha se duhet t’i jepet fund monopolizimit të partisë. Ndërsa Aldo Bumçi u shpreh se është e nevojshme që në PD të funksionojnë strukturat drejtuese dhe për këtë qëllim në parti duhen njerëz që nuk kanë angazhime në qeveri.
Ndërsa Aleksandër Biberaj, përveçse mbështeti ndarjen e posteve, propozoi aplikimin e parimit “një anëtar, një votë” në zgjedhjen e kryetarit dhe sekretarëve, në mënyrë që t’i jepet fund praktikës së emërimeve në PD.

7 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›