Barça bëhet problem shtypi në Spanjë
Grupi F është një nga më të pasigurtit gjatë këtij edicioni 2009-2010 të Champions League. Në lojë për dy vendet e para janë të katër skuadrat: Inter (Itali), Barcelona (Spanjë), Rubin Kazan (Rusi) dhe Dinamo Kiev (Ukrainë). Në fakt, kur u hodh shorti u mendua se për kampionen në fuqi të Europës, Barcelonën, dhe kampionen e Italisë, Interin, do të ishte e lehtë të “fshinin” Rubin Kazanin dhe Dinamon e Kievit. Barcelona bëri një tjetër kundër-paraqitje ndaj Rubin Kazanit në Rusi. Djemtë e Guardiolës nuk shkuan më shumë se barazimi i bardhë (0-0) përballë kampionëve të Rusisë. Për gazetën spanjolle “El Mundo Deportivo”, ndeshja e futi Barçën në një “Ruletë ruse” dhe kualifikimi i skuadrës katalanase do të luhet gjatë duelit të ardhshëm “Pep-Mou” në Kamp Nou. Për gazetën sportive “Sport”, Barcës i mjafton thjesht të fitojë përballë Interit dhe Dinamos në Kiev e “të kualifikohet”. Shtypi madrilen është më i ashpër, madje tregohet shumë i rezervuar në lidhje me shanset e kampionëve të Europës së vitit 2009. “Marca” dhe “As” shkruajnë se “Barça e tregua e vogël përballë Rubin Kazanit”. “El Pais” i frikësohet një sterilizimi të fuqisë shënuese të katalanasve. “El Mundo” shton se “Lionel Mesi me shokë ngrinë nga të ftohti dhe Rubini”. Barcelona nuk arriti të fitojë asnjë nga ndeshjet kundër kampiones së Rusisë, pasi dhe takimin e parë e kishte humbur 2-1 në “Kamp Nou”. Ndeshja vendimtare për blaugranasit është ajo kundër Interit në “Kamp Nou”. Inter kryeson grupin F me 6 pikë, Rubin Kazan e Barcelona kanë nga 5 pikë dhe Dinamo e Kievit, e fundit me 4 pikë.
Morati: “Dua pikë në Barcelonë”
Presidenti i Interit, Masimo Morati, u tregua euforik pas fitores së madhe të Interit në fushën e Dinamos së Kievit, rezultat që i jep shanse të mëdha kualifikimi zikaltërve në Ligën e Kampioneve. “Erdhi një fitore e bukur pas një paraqitjeje ndezëse. Ishte ndeshja e grupit, por edhe e Murinjos. Kthesa? Nuk e di, pas ndeshjes me Barcelonën, kam parë në javët e fundit shumë përmbysje në minutat e fundit, kështu që shpresoja edhe në Kiev. Dy ndeshjet e fundit? Duhet të tregohemi të kujdesshëm edhe me Rubin Kazanin, i pashë kundër Barcelonës dhe janë me të vërtetë një skuadër e bukur. Ne do të shkojmë edhe në “Kamp Nou” për të luajtur mirë dhe dëshirojmë të bëjmë pikë dhe atje”. Inter kryeson grupin F me 6 pikë, Rubin Kazan e Barcelona kanë nga 5 pikë dhe Dinamo e Kievit, e fundit me 4 pikë.
Saki: "Mourinjo? Është një fenomen”
Fitorja e Interit në minutat e fundit kundër Dinamo Kiev ka befasuar edhe një njeri të mësuar të fitojë si Arigo Saki. Ish-tekniku i Milanit, i cili tashmë luan rolin e opinionisitit për “Mediaset” pohoi: “Diferencën sipas meje e ka bërë Murinjo, i cili ka bërë një gjë të pa parë kurrë deri tani në Itali. Luajti në minutat e fundit me vetëm një qendërmbrojtës, duke krijuar pak konfuzion, por duke i dhënë jetë një gjeje të pa para në vendin tonë. Është një fenomen apo mund të bëjë çfarë të dojë me skuadrën? Unë e mbështes është një fenomen”.
Benitez sheh gotën gjysmëplot
Rafa Benitez shikon përpara me gjithë momentin delikat ku ndodhet skuadra e tij, Liverpool, në Champions League. “Mendoj vetëm për ndeshjen e ardhshme”. Trajneri nuk dëshiron të flasë aspak për të ardhmen e tij te Liverpool, pas barazimit 1-1 kundër Lyon. Barazimi e komprementon pozitat e tij në grup. Liverpool është në vendin e 3-të me vetëm 4 pikë në po aq ndeshje, 6 pikë më pak se Lyon dhe 5 nga Fiorentina. “Në këtë pikë ku jemi është e vështirë – tha Benitez – por nuk është e pamundur të kualifikohemi në një të tetat. Duhet të luajmë mirë kundër Debrecen”.
Malouda: “Drogba të shkakton frikë”
I pandalshëm dhe frymëzues i jashtëzakonshëm qysh prej fillimit të sezonit me Chelsea, Didier Drogba, admirohet edhe nga shokët e ekipit të tij, dhe pikërisht të Florent Malouda. Anësori francez nuk i ka kursyer elozhet për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë gjatë një interviste për gazetën britanike “The Mirror”. “Së bashku edhe me John Terry dhe Frank Lampard, ai është nga lojtarët tanë të klasit botëror. Të gjitha ekipet kanë frikë nga ai. A shënon shumë gola. Po kalon një formë të jashtëzakonshme dhe është me të vërtetë i lumtur. Është më i fortë se kurrë”. Chelsea ndodhet aktualisht në vendin e parë në Premier League.
Platini: “Vaksinimi? Vendosin klubet”
“Nuk jam mjek, çdo skuadër mund të bëjë atë që dëshiron”. Kjo ishte përgjigja e presidentit të UEFA-s, Mishel Platini në lidhje me vaksinimin e lojtarëve kundër influencës së virusit A/H1N1, apo siç njihet ndryshe “gripi i derrit”. Bosi i qeverisë evropiane të futbollit e bëri deklaratën gjatë një takimi pune me
presidentin e Parlamentit evropian, Jerzy Buzek.
K.Ronaldo, më gjatë larg fushave
Kristiano Ronaldo mund të qëndrojë akoma më gjatë larg fushave të futbollit, të paktën edhe për një muaj më shumë. Lajmi u dha nga gazeta spanjolle “Marca”. Real Madrid tha se nuk ka ende asnjë përmirësim në kaviljen e djathtë të dëmtuar të portugezit. Ronaldo do të vizitohet nga profesor Van Dyjk, ky i fundit e operoi lojtarin më të shtrenjtë në botë edhe në vitin 2008.
Katër policë të plagosur
Katër policë të plagosur, gjashtë persona të arrestuar. Ky është bilanci i konfrontimeve në Liezh të Belgjikës midis tifozëve të Standardit dhe mbështetësve të Olimpiakosit pas takimit të Ligës së Kampioneve midis dy skuadrave. Lajmi u dha nga agjencia “Belga”. Një tifoz grek i ndaluar nga policia u plagos dhe nuk ishte në gjendje të udhëtonte për disa ditë.
6 Nentor 2009