E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Riktheni "Komandot" e larguar pas protestës

27 efektivë të repartit elitë të Ushtrisë u liruan nga detyra pas reagimit të tyre për uljen e pagesës së misioneve


TIRANË- Pas ankesës së nëntë ushtarakëve depozituar tek Avokati i Popullit, në fund të muajit mars të këtij viti, për lirimin e tyre të pa drejtë nga detyra, ky institucion rekomandon rikthimin e tyre në punë.


Por Avokati i Popullit në rekomandimin dërguar komandantit të Forcave Tokësore, Gjeneral Viktor Berdo kërkon që të bëhet edhe dëmshpërblimi financiar për nëntë ushtarakët që u liruan nga detyra, që iu janë drejtuar këtij institucioni.


Për rekomandimin janë vënë në dijeni edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Maksim Malaj. Ekspertët e institucionit që mbron të drejtat e njeriut kanë arritur në përfundimin se nxjerrja ne lirim e nëntë ushtarakëve ankimues, por edhe të tjerëve,që ishin paqeruajtës në Herat të Afganistanit është i padrejte dhe i pa mbështetur ne ligj.


"Konceptimi dhe trajtimi që i është bërë kërkesës së bërë nga 86 ushtarakët si shkelje e rëndë e ligjit "Për statusin e ushtarakut të FA-së" është i padrejtë dhe i gabuar. Bërja e kërkesave dhe ankesave nga shtetasit e ndryshëm, përfshirë edhe ushtarakët, jo vetëm nuk përben asnjë shkelje ligjore, por ajo është një e drejte e garantuar në Kushtetutë dhe në ligj"- thuhet në rekomandimin që Avokati i Popullit në detyrë, Riza Poda, i ka dërguar komandantit të Forcës Tokësore.


Ankuesit pretendojnë se lirimi i tyre është në kundërshtim me aktet normative në fuqi, me pretendimin se ankesa është një e drejte e ligjshme dhe se atë e bën për cenimin e të drejtave të tyre ligjore. Përveç kësaj, ata pretendojnë se nuk e ndërprenë kryerjen e detyrës dhe nuk bene veprime konkrete refuzuese apo rebeluese, siç pretendohet nga drejtuesit e Forcave të Armatosura.


Në muajin dhjetor 2009, kur ndodheshin në Afganistan, ushtarakët janë informuar se shpërblimi ditor, sikurse është pasqyruar në kontratat tip që kanë nënshkruar, ishte tatuar në masën 10 % dhe ata në vend paguheshin 60 USD në ditë janë paguar 54 USD në dite.


Pasi informohen për këtë një pjesë e ushtarakëve të misionit, i dërgojnë një letër kryeministrit Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes Imami, ku kërkuan që të respektohet kontratat që kishin nënshkruar dhe të merrnin një përgjigje për këtë. Por pasi është kthyer në atdhe misioni paqeruajtës, 27 ushtarakë, u liruan nga detyra me motivacionin e rebelimit dhe shkeljes së disiplinës në punë.


Kërkuan shfuqizimin e aktit që i lironte ata nga detyra


Forcat "Komando" u liruan nga detyra në mars të këtij me motivacionin e rebelimit gjatë misionit paqeruajtës në Herat të Afganistanit. Por përveç ankimit pranë Avokatit të Popullit, ushtarakët e liruar nga detyra, më datë 21 prill 2010 kanë paditur në Gjykatën e Tiranës, Ministrinë e Mbrojtjes, Komandën e Forcave Tokësore dhe Repartin nr. 1200, ku forcat "Komando"bënin pjesë.


Padia është depozituar nga shtatë ish-paqeruajtësit, të cilët kërkojnë që të shfuqizohet akti administrativ nr. 428, datë 16 mars 2010, për lirimin e tyre nga detyra. Objekti kryesor i padisë së depozituar në muajin prill është rikthimi i tyre në punë. Ushtarakët kërkojnë që edhe të dëmshpërblehen për muajit e qëndrimit pa punë, duke pretenduar se çdo veprim ndaj tyre është bërë në kundërshtim me ligjet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›