Protestoi për vrasjen e të bijve, ngrihet akuzë për babanë

KORÇË/ Xhevahir Mulliri akuzohet për "organizim të manifestimeve të paligjshme"
KORÇË - Përfundon në ndjekje penale babai i tre vëllezërve Mulliri, të vrarë nga një person i cili u dënua me vetëm 25 vjet burg nga ana e Gjykatës së Korçës. Xhevahir Mulliri, lidhur me këtë vendim të gjykatës, organizoi të dielën një protestë në emër të drejtësisë së nëpërkëmbur të tre fëmijëve të tij të vrarë në fshatin kufitar Vidohovë. Si rrjedhojë, ai do të përballet me akuzën e "organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme".
Drejtoria e Policisë së Korçës bëri të ditur se ka nisur procedimin penal ndaj familjarëve të tre vëllezërve të vrarë në muajin janar të këtij viti në fshatin Vidohovë të rrethit të Devollit një ditë pasi ata zhvilluan një protestë pas dënimit të autorit të krimit me 25 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë.
Burime zyrtare të policisë së Korçës thanë se në datën 23 maj 2010, u kryen veprimet hetimore proceduriale në gjendje të lirë për shtetasin Xhevahir Mulliri, 50 vjeç, banor i Vidohovës, të rrethit të Devollit, pasi ky shtetas së bashku me shtatë persona të tjerë, familjarë të tij, u grumbulluan në qendër të qytetit të Bilishtit për rreth 10 minuta, me 3 arkivolë, duke protestuar kundër vendimit të Gjykatës së Korçës për dënimin me 25 vjet të autorit te vrasjes së tre djemve të tij shtetasin Besim Karaj, dhe jo dënimin e përjetshëm siç kanë pretenduar familjarët e viktimave.
Tre vëllezërit: Taulant, Xhilian dhe Etlevan Mulliri u ekzekutuan në qendër të fshatit të tyre nga 41-vjeçari Besim Karaj.
Ky i fundit e ka pranuar krimin para gjykatës duke shprehur pendim të thellë e duke kërkuar gjykim të shkurtuar, çka nënkuptonte në rast pranimi nga gjykata, shpëtimin nga burgimi i përjetshëm. Vrasja e tre vëllezërve ndodhi për shkak se autori i krimit pretendonte një lidhje intime të njërit prej tyre me gruan e tij. Si rrjedhojë ai është hakmarrë duke i vrarë të tre.
Njëri prej vëllezërve ishte i martuar, por nuk kishte fëmijë. Pas vendimit të gjykatës me dënimin e autorit të vrasjes me vetëm 25 vjet burg, familjarët kanë protestuar. Ata kanë bllokuar segmentin nacional Korçë-Bilisht për disa minuta, ndërkohë që me tre arkivolë iu drejtuan komisariatit për të shprehur kështu indinjatën e tyre lidhur me vendimin e gjykatës. Ky i fundit nuk u apelua as nga prokuroria e cila, ashtu si edhe gjykata, e pranoi gjykimin e shkurtuar.
Vrasja e tre vëllezërve shokoi fshatin Vidohovë, ndërkohë që babai i tre viktimave ka kërkuar drejtësi, ndërsa që në fillim ka akuzuar policinë tek e cila, sipas tij, kishte denoncuar herë pas here për rrezikun që i kanosej familjes së vet. Por, pas vdekjes së tre të rinjve dhe protestës së tij, e vetmja përgjigje ndaj babait është një akuzë për "organizim të një proteste të paligjshme".