Padia ndaj Berishës, Aneta Rama: Vendimi korruptiv

Gjykata e Lartë pushoi padinë ndaj Berishës me pretendimin se shpifjet nuk i drejtohen asaj, por të birit.
TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga gjyqtarja Arjana Fullani, vendosi mos fillimin e procedimit penal ndaj kryeministrit z.Sali Berisha për veprën penale të "shpifjes" së kryer botërisht në dëm të paditëses znj.Aneta Rama, nëna e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama.
Vendimi u dha pasditen e djeshme, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Arjana Fullani dhe anëtarët Andi Çeliku, Adrian Dvorani, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea. Pas pretendimeve të avokatëve të znj.Aneta Rama dhe mbrojtësit të kryeministrit Sali Berisha, kërkesa e Ramës u hodh poshtë.
"Dje Gjykata e Lartë zhvilloi seancën gjyqësore me kërkues të dëmtuarën akuzuese znj.Aneta Rama ndaj shtetasit Sali Berisha me objekt padie "Shpifje" të kryer botërisht. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pas dëgjimit të palëve, duke arsyetuar se "vepra penale e pretenduar nga ankuesja Aneta Rama, nuk i kundërdrejtohet asaj", në bazë të nenit 290/ç - 291/2 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: "Mos fillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Sali Berisha për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht, në dëm të kërkueses Aneta Rama".
Kështu thuhet në njoftimin zyrtar të firmosur nga shefja marrëdhënieve me publikun dhe media Ida Vodica. Thënë ndryshe, vepra penale për të cilën znj.Rama akuzon kryeministrin Berisha, nuk i është drejtuar asaj, por të birit, kreut të Partisë Socialiste z.Edi Rama.
Pas vendimit, paditësja Rama u shpreh se vendimi ishte korruptiv. "Nuk habitem me vendimin e Gjykatës së Lartë, pasi nuk prisja ndonjë gjë tjetër. Ky vendim ishte i korruptuar dhe jo i drejtë"- shtoi ajo në dalje të gjykatës.
Ndërkohë, gjatë seancës së djeshme gjyqësore, avokatët paditës, paraqiten para Kolegjit Penal provat dhe arsyetimet ligjore, që sipas tyre, kryeministri Berisha e ka konsumuar veprën penale të "shpifjes" së kryer botërisht. Ndërsa, avokatët mbrojtës të kryeministrit Berisha, vazhduan të mbajnë qëndrimin se i mbrojturi prej tyre nuk ka pas qëllim fyerjen ndaj znj.
Rama, përkundrazi ndaj saj ka shprehur respekt në fjalimin e tij. Aneta Rama, kërkoi nga Gjykata e Lartë të gjykojë kryeministrin Berisha, për akuzën e "shpifjes" të kryer botërisht nga foltorja e Kuvendit të Republikës. Nëna e kryesocialistit kërkonte një dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar nga këto shpifje.
"Vepra e mësipërme është konsumuar në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë fjalës së mbajtur prej të akuzuarit prej meje në seancën plenare të datës 26 nëntor 2009. Në këtë seancë, Berisha bën thirrje që unë të dal e t'iu tregoj shqiptarëve se djalin tim Edi Rama, e paskam kuruar për 10 vjet nga sëmundja e skizofrenisë.
Si dhe shpif duke përhapur thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar, duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit",- thuhej në padinë penale që tashmë u mbyll, me vendim mos fillimi nga pesëshja gjykuese e Gjykatës së Lartë.
"Me këto deklarata të trilluara nga kryeministri Berisha, ky i fundit synon që të ulë dinjitetin tim si nënë para syve të mbarë opinionit publik sepse, sipas Berishës, megjithëse e ndërgjegjshme për sëmundjen e tim biri, e cila në fakt është absolutisht një trillim i njeriut, unë nuk paskam as kurajën dhe as sinqeritetin që t'ua bëj atë të ditur shqiptarëve, me gjithë përgjegjësinë që kam ndaj tyre si qytetare dhe si nënë shqiptare"-pati theksuar nëna e kreut të Socialistëve znj.Aneta Rama në padinë e saj.
CITIM BERISHËS
"Tani do t'i them zonjës: Kam shumë respekt për ty po do ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që t'u tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! ... dil me kurajë si nënë shqiptare dhe thuaju të vërtetën, e ngrihu mbi sentimentet e një djali që të ka nxjerrë me lecka, nga shtëpia e tij, me rroba gjumi në Pazar"-pat deklaruar ndër të tjera kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit të Republikës mbrëmjen e 26 nëntorit 2009.
NENET
Neni 290
Rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit
1. Procedimi penal nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, duhet të pushojë në çdo gjendje të procedimit, kur:
a) personi ka vdekur;
b) personi është i papërgjegjshëm ose nuk ka mbushur moshën për përgjegjësi penale;
c) mungon ankimi i të dëmtuarit ose ai e tërheq ankimin;
ç) kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston;
d) vepra penale është shuar;
dh) është dhënë amnisti;
e) në të gjitha rastet e tjera të parashikuara nga ligji.
Neni 291
Vendimi për mos fillimin e procedimit
1. Kur ekzistojnë rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit, prokurori jep vendim të arsyetuar për mos fillimin e procedimit.
2. Vendimi u njoftohet menjëherë atyre që kanë bërë kallëzim ose ankim, të cilët mund ta kundërshtojnë atë në gjykatë, brenda pesë ditëve nga njoftimi i vendimit.
"Banda e Durrësit"
Dy nga avokatët e të akuzuarve u nxorën nga salla, pas debateve mes palëve për dëshminë e saj
Prokuroria kundërshton thëniet e "Missit", gjykata pranon