E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, dëgjohen platformat e 12 kandidatëve

SHKRUAN: Fejzi Braushi 13-12-2011 11:17

Rama: U qaj hallin anëtarëve të komisionit sepse do të kenë një zgjedhje të vështirë për të bërë, pasi kandidaturat janë profile të ndryshme, por në përmbajtje kanë profesionalizëm dhe seriozitet

Partia Socialiste ka mbyllur dje dëgjesën publike me 12 kandidatët për Avokat të Popullit. Për më shumë se 6 orë rresht, të 12 kandidatët kanë shpalosur vizionin e tyre për atë që duhet të përfaqësojë Avokati i Popullit përpara komisionit ad-hoc të ngritur për këtë qëllim, si dhe përpara shumë të pranishmëve, midis të cilëve deputetë socialistë apo edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri. Tashmë komisioni do të bëjë dhe vlerësimin e tij për të nxjerrë mesditën e së enjtes dhe kandidatin fitues që do t’i propozohet Kuvendit si Avokat i Popullit.

Dëgjesa

Është zhvilluar të hënën, ashtu siç ishte premtuar, dëgjesa publike për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit. Fillimisht është hedhur shorti nëpërmjet tërheqjes së numrave për radhën e dëgjesës për secilin kandidat, ku numri 1 i ka rënë kandidatit Ksenofon Krisafi, ndërkohë që e ka mbyllur seancën kandidati Sokol Hazizaj. Seanca dëgjimore ka nisur me një ndryshim plani, pasi kandidati Përparim Kabo ka kërkuar që prezantimi i tij të bëhej pa praninë e konkurrentëve të tjerë, me qëllim që ata të mos merrnin idetë e tij dhe t’i thoshin gjatë prezantimit të tyre. Propozim ky që është pranuar nga komisioni, i cili u ka kërkuar kandidatëve që të lënë sallën dhe të futen një e nga një sipas radhës. Më pas seanca ka vijuar normalisht dhe secilit kandidat i është lënë nga 15 minuta kohë për të shfaqur vizionin e tij dhe më pas 10 minuta kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të komisionit. I pari sipas shortit ka bërë prezantimin e ideve të veta kandidati Ksenofon Krisafi, i cili në fjalën e tij ka vlerësuar se legjislacioni aktual që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni lë hapësirat e duhura për të kryer një veprimtari aktive dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Pas tij ka prezantuar idetë e veta kandidati i dytë, Besnik Dervishi, i cili ka vënë theksin tek një rol më i madh që duhet të luajë institucioni i Avokatit të Popullit në marrjen e iniciativave të ndryshme. Ndërkohë që kandidati i tretë, Përparim Kabo, i cili midis të tjerave ka propozuar edhe krijimin e zyrave të Avokatit të Popullit. Një propozim ky që ka qenë pjesë edhe e ideve të kandidatit Bilal Kola. Pas një pushimi të shkurtër, seanca ka vijuar me pjesën tjetër të kandidatëve për t’u mbyllur rreth orë 17 të pasdites.

Rama

Pasi ka ndjekur gjithë dëgjesën, kreu socialist nuk ka ngurruar të vlerësojë këtë proces si një arritje dhe një ogur të mirë për standardet që kërkon të vendos PS-ja në përzgjedhjen e kandidatëve për institucionet shtetërore, për t’i gjetur siç shprehet ai, vendit njeriun dhe jo njeriut vendin. “Procesi flet vetë për transparencën dhe cilësinë e tij. Unë, në rolin e dëgjuesit bashkë me të tjerët këtu, jam i mbresuar nga serioziteti i atyre që kanë paraqitur deri tani vizonin e tyre për Avokatin e Popullit. Dhe u qaj hallin anëtarëve të komisionit sepse do të kenë një zgjedhje të vështirë për të bërë, pasi kandidaturat janë profile të ndryshme, por në përmbajtje kanë profesionalizëm, kanë seriozitet dhe japin shenja shumë domethënëse që janë në lartësinë e sfidës.”Komisioni ka punë të vështirë për zgjedhjen më të mirë”, - u shpreh Rama. Ndërkohë që deputetja Gjermeni, në emër të komisionit përzgjedhës u shpreh se dëgjesa për shkak të cilësisë së çdo kandidati e bëri punën përzgjedhëse edhe më të vështirë. “Kjo dëgjesë publike, të jemi të sinqertë nuk na e lehtësoi punën, përkundrazi, përzgjedhja e Avokatit të Popullit bëhet vërtet më e vështirë pas dëgjimit të çdonjërit prej të interesuarve që përgjithësisht ishin mbresëlënës”, - tha Gjermeni. Komisioni tashmë do të përgatisë një raport të hollësishëm, të plotë, për 12 kandidaturat dhe do të shpallë kandidaturën fituese ditën e enjte datë 15 dhjetor, në orën 15:30.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›