E Diel, 1 Nëntor 2026

“Avokati i Popullit të respektojë integritetin e tij, të mos furnizojë me ushqime grevistët”

22-10-2012 / Gazeta 55

Reagon drejtoria e Policisë së qarkut të Tiranës pas akuzave të Avokatit të Popullit

Drejtoria e Policisë së qarkut të Tiranës i ka bërë apel Institucionit të Avokatit të Popullit, si një institucion i pavarur në kuptim të kushtetutës, qe të respektojë integritetin e tij dhe të mos bjerë pre e manipuluesve të grevës se paligjshme të ish-të përndjekurve politike dhe të kërkojë ndjesë publike për akuzat e rënda dhe të pavërteta të ushtrimit të torturës apo keqtrajtimit të grevistëve nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, asistenti i Drejtorit të Policisë së Tiranës Arben Nasufi  apelo avokatin e popullit. “I bëjmë apel Institucionit të Avokatit të Popullit, si një institucion i pavarur në kuptim të kushtetutës, të respektojë integritetin e tij dhe të mos bjerë pre e manipuluesve të kësaj greve të paligjshme dhe të kërkojë ndjesë publike për akuzat e rënda dhe të pavërteta të ushtrimit të torturës apo keq-trajtimit të grevistëve nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Avokatit të Popullit, të heqë dorë nga roli i furnitorit me ushqime të individëve që kanë hyrë në një grevë, të pretenduar si grevë urie”, theksoi Nasufi.      
Ndërkaq, asistenti i Drejtorit të Policisë së qarkut Tiranë informoi se, “drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, që në ditën e parë të grevës e në vijim, ka marrë të gjitha masat për mbajtjen në kontroll të situatës, duke organizuar shërbime policore për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe parandalimit të çdo incidenti të padëshiruar në vendin ku zhvillohet greva”.
Pas tentativave për dëmtim nëpërmjet djegies apo vetë-djegies nga dy prej pjesëmarrësve në grevë, Policia e Tiranës rriti edhe më shumë masat e sigurisë, në funksion të një qëllimi të vetëm: sigurimin e jetës së grevistëve si dhe për të mos lejuar që pjesëmarrësit në grevën e urisë, në kushte të rënduara psikologjike dhe me ndikime politike nga jashtë ambienteve të grevës, të kryenin akte vetëdëmtimi shprehet Nasufi. 
“Drejtoria e Policisë se Qarkut Tiranë shpreh keqardhjen për deklaratat e pavërteta të Avokatit të Popullit, pasi grevistëve të urisë nuk u janë ndërprerë nga ana jonë as ilaçet, as mjekimet apo ndërhyrja mjekësore. Pranë ambienteve të grevësështë atashuar gjithë kohën një autoambulancë e pajisur me staf mjekësor me të gjithë medikamentet e nevojshme”, nënvizon deklaratë e Policisë.
“Drejtoria e Policisë se Qarkut Tiranë, në ruajtje të sigurisë së jetës së grevistëve, ka marrë masa shumë të forta për të shmangur çdo provokim, si edhe për të mos lejuar persona që nuk kanë lidhje me grevën të afrohen apo të fusin në ambientet e grevës mjete apo materiale që mund të vënë në rrezik jetën e tyre”, përfundon deklarata e Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›