Kujdesi i tepërt për diplomacinë po e paraqet Obamën si të stërkujdesshëm
Konflikti shkatërrimtar dhe i përhapur në Siri nuk paraqet zgjedhje të mira, vetëm zgjedhje midis së keqes dhe më së keqes. Por, një lider duhet të zgjedhë dhe Obama është duke e bërë zgjedhjen e gabuar – për Sirinë, për rajonin dhe SHBA-në
Princeton - Gjatë këtij sezoni zgjedhor në SHBA, presidenti Barack Obama është dy burra në një. Obama i fjalimit të Kajros më 2009, kur ai bëri thirrje për një fillim të ri midis SHBA-së dhe myslimanëve në botë, ka mbetur në hije të Obamas që vret terroristët dhe që është komandanti suprem i cili ka ndërmarrë qindra sulme me fluturake kundër “Al-Qaedas” dhe bashkëpunëtorëve të saj. Komandanti suprem Obama është duke e bërë atë që e konsideron të domosdoshme për t’i mbajtur amerikanët e sigurt, por ai është duke i shpërfillur rrënjët më të thella të problemit, të cilat Obama i Kajros i kuptonte aq mirë. Ta marrim rastin e Sirisë. Gjithçka që po ndodh atje ishte si e parashikueshme, ashtu edhe e pritur: një luftë indirekte midis Arabisë Saudite dhe Iranit, thellimi i përçarjeve sektare dhe ndasive etnike, polarizimi i ekstremeve dhe heshtja e të moderuarve, destabilizimi i shteteve fqinje, infiltrimet nga grupet terroriste dhe gjakderdhjet, gjëra këto prej të cilave shtetit do t’i duhen dhjetëvjeçarë të tërë për t’u rimëkëmbur. Grupet opozitare siriane luten për armët e domosdoshme për të luftuar aeroplanët e presidentit Bashar al-Assad, për të mbrojtur territorin e fituar me mund, për të ofruar siguri për civilët dhe për t’i treguar Assadit se bota nuk do të qëndrojë duarkryq, derisa ai është duke shtypur popullin e tij me të gjitha mjetet në dispozicion. Çdo mëngjes, Obamas i raportojnë zyrtarët, të cilët e paralajmërojnë për secilin komplot dhe konspiracion për të vrarë amerikanët. Ai e di se secila armë që është në gjendje të rrëzojë aeroplanët luftarakë sirianë mund po ashtu të përdoret nga terroristët kundër aeroplanëve komercialë amerikanë. Ai beson se është duke e bërë gjënë e duhur dhe duke u treguar i kujdesshëm që konflikti sirian të zgjidhet disi vetë, duke minimizuar në këtë mënyrë rrezikun afatgjatë të humbjes së jetëve amerikane.
Këshilltarët e tjerë e paralajmërojnë se çfarëdo aksioni i mundshëm – vendosja e ndonjë zone sigurie në kufirin me Turqinë, për shembull – nënkupton eliminimin e mbrojtjes antiajrore në tërë Sirinë. Një gjë e tillë do të nënkuptonte bombardimin e Damaskut, gjë që do ta rriste mbështetjen siriane për Assadin. Dhe, mbase një gjë e tillë nuk do të kishte efekt; kështu do të mund të shpëtoheshin disa jetë, por me aq shumë shtete që po luftojnë një luftë indirekte përmes grupeve aq të ndryshme opozitare, dinamika e përgjithshme e konfliktit nuk do të ndryshonte. Për më tepër, shtetet e tjera në rajon nuk do ta përdorin forcën sulmuese pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën gjë Rusia dhe kinezët vazhdojnë ta bllokojnë. Dhe, të mos harrojmë se votuesit amerikanë nuk janë të interesuar për një aksion të ri ushtarak në Lindjen e Mesme, madje edhe nëse pasojat janë vitet e një lufte civile dhe përçarja e shtetit që kufizohet me Izraelin, Jordaninë, Irakun, Turqinë dhe Libanin. Këto argumente janë avancuar me besim të mirë dhe meritojnë shqyrtim serioz. Por, arti i të udhëhequrit qëndron te llogaritja e kostove dhe e përfitimeve të bërjes së një gjykimi, kur balanca është e paqartë. Askush nuk flet për popullin sirian në Zyrën Ovale për çdo mëngjes. Askush nuk e përmend koston e tradhtisë, kundër së cilës Amerika qëndron, madje edhe duke qenë dëshmitare të njerëzve të gatshëm për të marshuar – përballë plumbave – pikërisht për ato vlera universale: dinjitet, liri, demokraci dhe barazi. Kostoja është edhe një gjeneratë e njerëzve në Lindje të Mesme, të cilët e besojnë më të keqen për SHBA-në, pa marrë parasysh kundërshtimin e këtij pohimi.
Askush nuk e vë theksin te kostoja e madhe oportune e saj se çfarë ka mundur të bëhej dhe çfarë mund të bëhet ende, po qe se SHBA-ja ndërmerr aksion vendimtar për të shpëtuar dhjetëra e mijëra sirianë e mbase edhe ta ndryshojë balancën e konfliktit. Ta krahasojmë këtë me rastin e Libisë, ku një prej rezultateve të ndërhyrjes amerikane ishte marshimi i dhjetëra e mijëra libianëve nëpër rrugë, me pankarta në mbështetje të SHBA-së dhe shprehje të mllefit për vrasjen e ambasadorit amerikan. Dhe, në skenën botërore, Rusia dhe Kina janë nxitur të besojnë se Amerika kurrë nuk do të shpërfillë veton, duke iu dhënë atyre faktikisht fjalën e fundit. Mbase mund të jetë e pamundur që SHBA-ja të veprojë para zgjedhjeve të veta presidenciale të nëntorit. E vetmja mundësi, sipas mendimit tim, është po qe se shtetet e rajonit – Turqia, Arabia Saudite, Jordania, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – bëjnë thirrje të hapur që SHBA-ja t’i udhëheqë. Ata duhet t’ia kujtojnë Obamas atë që ekspertët e politikës së jashtme, Nina Hachigian dhe David Shorr e kanë quajtur pak kohë më parë “doktrina e përgjegjshmërisë”: fuqitë e mëdha kanë përgjegjësi aktive për mbajtjen e normave globale dhe për zgjidhjen e problemeve globale. Liga Arabe duhet që ta akuzojë publikisht Këshillin e Sigurimit për shpërfilljen e përgjegjësisë që ka për mbrojtjen e paqes ndërkombëtare dhe sigurisë, duke u bërë thirrje shteteve me interesa të rëndësishëm në rajon që t’u bashkohen për të ndërmarrë aksion. Ata duhet t’i bëjnë thirrje specifike SHBA-së për ta marrë përgjegjësinë dhe, ashtu siç tha Obama për ndërhyrjen në Libi “për krijimin e kushteve dhe koalicioneve që të tjerët të inkuadrohen”. Liga duhet të kërkojë nga SHBA-ja që të mbrojë vlerat e veta dhe të ndjekë interesat e veta, duke përmbushur në të njëjtën kohë përgjegjësinë që ka si organizatë rajonale. Konflikti shkatërrimtar dhe i përhapur në Siri nuk paraqet zgjedhje të mira, vetëm zgjedhje midis së keqes dhe më së keqes. Por, një lider duhet të zgjedhë dhe Obama është duke e bërë zgjedhjen e gabuar – për Sirinë, për rajonin dhe SHBA-në.
Autorja është ish-drejtoreshë e planifikimit politik në Departamentin amerikan të Shtetit, si dhe profesoreshë e politikës dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit. Shkrimi është botuar së pari në “Project Sindycate”