Avokati i Tatimpaguesve futet në Drejtorinë e Tatimeve
Një përfaqësues i ri institucional do të ketë zyrat e veta në strukturën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave të republikës. Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave ka autorizuar Ministrinë e Financave të akordojë fondet dhe të përcjellë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave strukturën e re të Avokatit të Tatimpaguesve, e cila do të ketë vlerën e një drejtorie dhe që do të kryesohet nga një drejtor drejtorie. Ky vendim “ka për qëllim të rregullojë strukturën, autoritetin, funksionet, bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e Avokatit të Tatimpaguesve me strukturat e tjera brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe me palët e treta”. Ky avokat i ri është në varësi të kreut të tatimeve të Republikës dhe ka në varësi edhe tre punonjës të tjerë. Roli i tij konsiston në rritjen e transparencës dhe integritet të administratës tatimore, por do të jetë edhe një lloj garanti për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të tatimpaguesve. “Avokati i Tatimpaguesit investigon dhe ndërhyn, për zgjidhjen e problemeve që u referohen ankesave të tatimpaguesve pranё drejtorive rajonale tatimore dhe/ose drejtorive funksionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”. Ligji organik parashikon një sërë të drejtash dhe detyrash që do të mishërohen në autoritetin e kësaj strukture të re.
#