E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i 2011-s, rritje pagash dhe pensionesh

Kryeministri kërkoi hartimin e draftit në gusht dhe kalimin e tij për miratim në Kuvend në shtator

Projektbuxheti i vitit 2011 do të kalojë për miratim në Kuvend në muajin shtator, menjëherë pas fillimit të sesionit të ri parlamentar. Ky ishte udhëzimi që dha dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës së qeverisë, theksi i së cilës u vendos te buxheti i vitit që vjen. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë kërkoi dje nga të gjithë ministrat dhe përfaqësuesit e institucioneve në vend, që përgjatë muajit gusht të nisin dhe të përfundojnë punën për buxhetin e ri. “Kërkoj që të nisë nga të gjitha agjencitë dhe ministritë e vendit hartimi i buxhetit për vitin 2011. Buxhet i cili duhet të dorëzohet në qeveri në datën 1 shtator dhe qeveria brenda shtatorit ta dërgojë në Parlament”, kërkoi dje në mënyrë të prerë Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, ky do të jetë buxheti më i madh i parë ndonjëherë në historinë e vendit dhe për më tepër në të do të jetë parashikuar një rritje e të ardhurave me 5%. “është parashikuar një rritje minimale 5% për vitin e ardhshëm, por unë jam i sigurt që do të tejkalohet. Janë dhe 3.2 miliardë euro grante dhe kredi për 3 vitet që vijnë”, konfirmoi Kryeministri. Duke folur për “fizionominë” që do të karakterizojë buxhetin e vitit të ardhshëm, kreu i qeverisë theksoi në mënyrë të prerë se në të do të parashikohej rritja e përvitshme e pagave dhe pensioneve për të gjithë qytetarët. “Kam një zotim solemn, elektoral timin para mbarë shqiptarëve: Për sa kohë do të më votoni, do të rris rrogat dhe pensionet. Ne së bashku do të mbajmë premtimin”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, ky premtim është mbajtur në vitet e vështira të krizës botërore dhe nuk ka asnjë arsye pse mos të realizohet edhe në vitin 2011. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha deklaroi se buxheti i ardhshëm, para së gjithash, duhet t’i qëndrojë parimit të “zemrës së dhimbsur” dhe të ndihmojë shtresat në nevojë që gjenden në vend. “Ne do t’i qëndrojmë parimit të qeverisë së shërbesave dhe shërbimeve, pra të përmirësojmë më tej, të konsolidojmë më tej, frymën sociale, qëndrimin e njerëzishëm të qeverisë shqiptare ndaj 820 mijë familjeve shqiptare”, konfirmoi kreu i qeverisë. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se ky buxhet nuk do të cenojë projektet e mëdha të shpallura para shqiptarëve. “Buxheti i ardhshëm është vendimtar në realizimin e tyre. Të gjitha akset rrugore, rrugët rurale, rrugët dytësore, ujësjellësit, shkollat, spitalet, modernizimi i shëndetësisë dhe mbështetja e kësaj reforme, mbështetja e projektit kombëtar të ullirit dhe projektet e tjera në bujqësi, do të realizohen”, theksoi kreu i qeverisë në fjalën e tij. Por nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se shpenzimet e administratës nuk do të ndryshojnë për 2011-n dhe do të mbeten ato që janë vendosur në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. “Do të zbatohen të gjitha projektet e mëdha, por zotërinj ministra, niveli i shpenzimeve të administratës do të jetë ky që u përcaktua me vendimin që morëm për shkurtimin e tyre. Kur them shpenzimet, them shpenzimet e administratës, jo investimet. Ne duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për të kursyer çdo qindarkë nga shpenzimet e administratës”, shpjegoi Berisha. Sipas Kryeministrit, kjo “fizionomi” e re e buxhetit është në mënyrë të padrejtë në kundërshtim me qëndrimet e opozitës së vendit. “Po të dëgjoja vajtorët e krizës, ose këshilltarët e zisë, nuk i rrisnim pagat dhe pensionet as një qindarkë. Të dalësh dhe ta shpallësh rritjen e pensioneve një veprim kriminal, do të thotë të kesh humbur edhe anagramin e fundit të dhimbsurisë dhe njerëzisë”, theksoi Berisha. Sipas tij, Shqipëria do të jetë edhe këtë vit një nga vendet me rritjen më të madhe ekonomike në Europë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›