Lini rehat Serbinë dhe Kosovën
Vendimi i javës së kaluar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga Serbia në 2008, duhet ta dërgojë një mesazh të rëndësishëm në Moskë dhe në Uashington: mos ndërhyni më! Kjo betejë e veçantë duhet të zgjidhet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës - me ndihmë të vogël nga Bashkimi Europian. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të tërhiqen dhe ta ndalin turbullimin e ujërave. Një lexim i kujdesshëm i vendimit tregon se gjykata ka vendosur për një çështje shumë të ngushtë. I zhveshur nga juridicizmi, vendimi thotë se, sipas ligjit ndërkombëtar është në rregull "të thuhet" se kërkohet pavarësi. Por, duke shtuar: për shkak se Kosova është "sub-sovrane" – e jo një shtet-komb tamam – ajo nuk i nënshtrohet ligjit të kombeve. Mirëpo, Gjykata nuk ka thënë se shkëputja e Kosovës nga Serbia, ose njohja e saj nga vendet e ndryshme është, në fakt, e ligjshme. Por, perceptimi është gjithçka, prandaj perceptimi se Gjykata ka vendosur në favor të Kosovës ka të ngjarë të shkaktojë një raund të mëtejshëm të shteteve të gatshme ta njohin pavarësinë e saj. Gjashtëdhjetë e nëntë shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të BE-së, tashmë e kanë bërë këtë. Për t'u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera vitale ndërkombëtare, Kosova ka nevojë për votat e dy së tretës në Asamblenë e Përgjithshme, ose të paktën të 100 shteteve. Shumë kundërshtarë thonë se legjitimimi i shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës do të nxisë lëvizje secesioniste në të gjithë botën. Por, vendimi i Gjykatës është larg nga të qenit një mundësi e pakufishme ligjore. Kosova dhe Serbia janë në një situatë të veçantë, dhe të dyja kanë një motiv të veçantë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre – perspektivën e anëtarësimit në BE. Në qoftë se mund t’i zgjidhin problemet e tyre, derën për në Bruksel do ta kenë të hapur gjerë e gjatë. Catherine Ashton, ministrja e Jashtme e BE-së, me shpejtësi e tha këtë. "BE-ja është gati", tha ajo në një deklaratë pas vendimit, "për ta lehtësuar procesin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Ky dialog do të kishte për qëllim nxitjen e bashkëpunimit, arritjen e përparimit në rrugën drejt Europës dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve". Zonja Ashton është diplomate shumë e aftë për të folur me letra hapur, por nënteksti i deklaratës së saj duhet të jetë i qartë në Beograd dhe Prishtinë. Kosova duhet të pushojë së kërkuari sigurim të së ardhmes së saj, duke u afruar me Uashingtonin, siç u duk të bënte Kryeministri Hashim Thaçi javën e kaluar. Ndërsa Beogradi duhet të ndalojë së kapuri për kundërshtimet e Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, nganjëherë e jep përshtypjen se kjo është vërtet politika qendrore e Beogradit. Bashkimi Europian ka nevojë ta vendosë axhendën për Kosovën dhe Ballkanin, rajon ky anëtarëve të të cilit tashmë u është garantuar anëtarësimi. Nëse Bashkimi Europian dështon në oborrin e vet, atëherë ai mund t’i thotë lamtumirë çdo ideje për të ushtruar ndikim ndokund tjetër. Së bashku me dialogun aktiv të cilin e premton zonja Ashton, Brukseli duhet të bëjë dy gjëra. Së pari, duhet ta përmirësojë sistemin e stimulimeve që iu ofrohen vendeve të Ballkanit të cilat ende janë jashtë Bashkimit Europian. Së dyti, Brukseli duhet të veprojë për t’i heshtur ato forca në Uashington dhe Moskë që në mënyrë të qartë nuk duan zgjidhje kompromisi për tensionet në Mitrovicën e Veriut – enklavën kryesore serbe në Kosovë - dhe problemet tjera që janë të pranishme në Prishtinë. Ndërkohë, elektorati serb duhet të pyetet pse qeveria në Beograd shtiu në këmbën e vet, duke paraqitur një çështje aq të ngushtë në Gjykatën Ndërkombëtare, me supozimin e mbështetur në një vetëbesim të madh, se vendimi i Gjykatës do të jetë në favor të Serbisë. Kush duhet të mbahet përgjegjës për këtë strategji që dështoi në mënyrë mjerane? Serbët dhe shqiptarët e Kosovës do të donin të dinin se si udhëheqësit e tyre synojnë t’i përshpejtojnë lëvizjet drejt anëtarësimit në BE dhe arritjen e sundimit të ligjit. Qeveria e Kosovës duhet t'i kushtojnë vëmendje të veçantë qëllimit të dytë, sidomos pasi shefi i Bankës Qendrore në Prishtinë u arrestua të premten nga EULEX, me akuzat e pastrimit të parave, marrjes së ryshfetit dhe formave tjera të shpërdorimit financiar. Nuk ka dyshim se qeveria e Kosovës do të ndjehet e përkrahur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare, por ai nuk do t’i zgjidhë si me magji sfidat e mëdha me të cilat përballet ajo. Serbia dhe Kosova ballafaqohen me dilemën e të burgosurit. Ose do të bashkëpunojnë në synimin e tyre për anëtarësim në BE, ose do të mbesin të margjinalizuara, me pasoja katastrofale për veten e tyre, rajonin dhe diplomacinë e BE-së. Duke marrë parasysh armiqësinë e tyre, ideja e bashkëpunimit konkret të Beogradit dhe Prishtinës mund të duket joreale. Por, të gjithë ne mund të marrin zemër nga raportet jashtëzakonisht të frytshme rajonale dhe bilaterale që janë zhvilluar në Ballkan gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm 10 vjet më parë, Serbia dhe Kroacia e konsideronin njëra-tjetrën si armike të mëdha. Ndonëse ende përballen me çështje të pazgjidhura që burojnë prej luftërave të viteve 1990, ato kanë treguar gatishmëri të jashtëzakonshme për të punuar së bashku në çështjet më të rëndësishme rajonale, siç është lufta kundër krimit të organizuar. Nuk është shumë e rëndësishme nëse kontakti midis Serbisë dhe Kosovës arrihet nëpërmjet organeve të bashkëpunimit rajonal, prapaskenave diskrete, apo në qoftë se Bashkimi Europian e dizajnon një proces të paqes si ai i Oslos. Por, të dyja palët duhet të fillojnë të bisedojnë. Jo vetëm për deklaratat e njëanshme, por për gjërat që, në fund të fundit, do të kenë rëndësi më të madhe për qytetarët e tyre.
Misha Glenny , International Herald Tribune
#