Avokati i protestuesve: Qytetarët duhet të lirohen, nuk kanë bërë asnjë vepër penale

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Avokati Alban Duraj reagoi pas shoqërimit në komisariate të rreth 20 protestuesve pas përplasjeve para parlamentit, duke i cilësuar ndalimet si të paligjshme dhe pa asnjë bazë ligjore.
Në një deklaratë për mediet, Duraj, i cili përfaqëson protestuesit, tha se qytetarët nuk kanë kryer asnjë vepër penale, por kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre dhe kthimin pranë familjeve.
Sipas avokatit, është duke u përgatitur një kallëzim penal ndaj personave që mbajnë përgjegjësi për ndalimet. Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit, drejtuesve të komisariateve dhe ministrit të Brendshëm të respektojnë ligjin dhe të mos veprojnë mbi urdhra politikë.
Duraj deklaroi se gjatë protestës ka qenë policia ajo që ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve, duke përdorur shkopinj gome dhe forca të shumta policore.
“I bëjmë thirrje që të lirohen në mënyrë të menjëhershme. Jemi duke përgatitur kallëzimin penal, të mbajnë përgjegjësi të gjithë. I bëjmë thirrje policisë, komisariatit, ministrit të Brendshëm që ka për detyrë të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin. Jemi mësuar në këto 13 vite si Rama është sjellë me ministrat e vet, të kenë një ndërgjegje së paku qytetare dhe pastaj ligjore. Ju lutem të respektoni ligjin, kallëzimi është gati, prokuroria do fillojë hetimin. Janë shkelur të gjitha kriteret kur arrestohet dikush në flagrancë. Çfarë kanë bërë protestuesit? Asgjë, përveç respektimit të së drejtës së tyre për të protestuar dhe asnjë shkelje.
Ne nuk na kanë dhënë asnjë lloj përgjigjeje. Ata presin urdhra që janë politikë. Asnjë vepër penale nuk është kryer nga protestuesit. Ka qenë policia ajo që ka goditur protestuesit. Punonjësit kanë qenë me shkopinj gome, duke ushtruar dhunë, në numër shumë të madh. Përveç lirimit që e kërkojmë nga drejtori i policisë, kërkojmë edhe nga prokurori, cili është prokurori që ka këtë çështje, që të urdhërojë në mënyrë të menjëhershme lirimin. Thirrja jonë shkon në dy rrugë, drejtorit të Policisë dhe ministrit. Kërkojmë që Rama të reagojë lidhur me këto arrestime të paligjshme. Ia kërkojmë Ramës në mënyrë që protestuesit të shkojnë te familjet e tyre dhe ta vijojnë jetën normalisht”, tha ai.
Sipas tij, policia ka pasur plan për të penguar aktivistët kryesorë të kësaj proteste.
/m.q/r.e/a.f/