Lamallari: Përgjigjja e merituar tani e tutje është vetëm forca e ligjit

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari reagoi sot në lidhje me përplasjet mes protestuesve dhe policisë para parlamentit.
Lamallari publikoi një video në të cilën shfaqet një protestues duke qëlluar me gurë ndaj efektivëve të policisë, teksa shton se përgjigjja nga tani e tutje do të jetë vetëm forca e ligjit.
“Gurët u hodhën, maskat ranë! Kjo nuk ka asgjë qytetare si protestë dhe përgjigjja e merituar tani e tutje është vetëm një: forca e ligjit!”, shkruan ai.
Protesta e sotme para Kuvendit përshkallëzoi në tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, me incidente të shumta gjatë gjithë ditës, përfshirë bllokimin dhe rrethimin e hyrjeve të Kuvendit, duke mos lejuar daljen e deputetëve dhe ministrave pas seancës plenare. Policia e Shtetit njoftoi se janë shoqëruar 18 shtetas.
/m.q/a.f/r.e/