Avokati padit në prokurori ish-kreun e Agjensicë së Pronave
TIRANË - Pas marrjes si i pandehur për "falsifikim dokumentesh" dhe "tjetërsim prone", ish-kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj tashmë do të përballet edhe me akuzën e "shpifjes" ndaj një avokati. Ka qenë avokat Genc Çeli, i cili i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës, duke deponuar një kallëzim penal ndaj shtetasve: Tunxh Vatnikaj si ish-kreu i AKKP-së, oficerit të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, Bashkim Lamnica dhe shtetases Fejzie Libohova nga Vlora, por me banim në Austri.
Sipas kallëzimit, ish-kreu i AKKP-së Vatnikaj me ndihmën e oficerit Lamnica dhe me fjalët e pa bazuara të shtetases Libohova e kanë akuzuar avokatin për "mashtrim". Mbi këtë akuzë policia pak muaj më parë e shpalli në kërkim. Por, çështja e kallëzimit për "mashtrim" u verifikua për disa muaj nga prokuroria dhe përfundimisht u vendos të mos fillohet hetimi ndaj avokat Çelit, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura nga Libohova, Vatnikaj dhe të renditura nga oficeri Lamnica. Tani është avokat Genc Çeli që deponon një kallëzimin penal ndaj këtyre tre personave, për "shpifje"; "kallëzim të rremë"; "shpërdorim detyre" dhe "përvetësim të pronës të mbetur në tentativë". Sipas avokatit, të gjitha shpifjet e këtyre personave, janë bërë për t'i grabitur pronat familjes së Shefqet Vërlacit, interesat ligjore të së cilës i mbron avokat Çeli.
Në fillim të vitit 2009-të, ish- drejtori i AKKP-së, u akuzua për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka tjetërsuar pronën në një nga zonat më të bukura bregdetare. Sipas hetuesve janë 480 mijë m2 tokë tek Plazhi i Gjeneralit që dyshohet se është tentuar të vidhet dhe të tjetërsohet nëpërmjet firmës së ish- kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tunxh Vatnikaj.