Hapja e kutive, PS: Berisha të reflektojë sa nuk është vonë
TIRANË- Partia Socialiste ka këmbëngul sërish sot për hapjen e kutive të votimit në zonat e kontestuara, duke i bërë thirrje kreut të qeverisë që të reflektojë sa nuk është vonë për këtë kërkesë të socialistëve.
Gjatë një deklarate për mediat, deputetja socialiste Olta Xhaçka ka theksuar se e vërteta fshihet në kutitë e marra peng.
"Sali Berisha duhet të kuptojë se as gënjeshtrat e njëpasnjëshme dhe as indiferenca teatrale ndaj kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit nuk e shpëtojnë dot atë dhe qeverinë e dytë të Gërdecit nga përballja me të vërtetën që fshihet në ato kuti të marra peng në shkelje të ligjit e të së drejtës sonë të pamohueshme"- tha ajo.
Sipas saj, Sali Berisha e uli në prehër Ilir Metën në këmbim të mashtrimit publik që LSI-ja u bëri 83 mijë shqiptarëve, po nuk mund ta ulë dot kurrë në gjunjë Partinë Socialiste.
Shqiptarët, ka vijuar më tej ajo, e kanë kuptuar se pas krimit shtetëror të Gërdecit nuk qëndron thjesht Fatmir Mediu, po vetë Sali Berisha, i cili kërkon ta kthejë Shqipërinë në një feud ku zgjedhjet grabiten, ku populli gënjehet e mashtrohet përditë dhe ku qeveris një oborr feudal të korruptuarish, të pandehurish e të kërkuarish nga populli për mashtrim publik.
"Hapja e kutive është sot një e drejtë e pamohueshme e çdo pale, jo vetëm në botën demokratike po dhe në Afganistanin e largët, prandaj Sali Berisha duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë"- përfundoi ajo.
12.10
Bojkoti i PS-së, Patozi: Kushtet e vendosura janë absurde
TIRANË- Pas deklaratës së kreut të qeverisë Sali Berisha për kushtet e vendosura nga Partia Socialiste si të parealizueshme, një tjetër reagim vjen nga i njëjti kamp politik.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar sot marrëdhënien e kushtëzuar që PS-ja ka vendosur me Kuvendin e ri të Shqipërisë, duke i konsideruar kushtet e vendosura, si absurde.
"Kutitë e votimit, nuk hapen nga kryeministri apo nga parlamenti, por nga institucionet përkatëse. Kushtet e opozitës janë pretekste për shkak të debatit të brendshëm në Partinë Socialiste", u shpreh Patozi.
Ai shprehu më tej besimin se PS-ja do të kthehet në parlament jo vetëm në respekt të elektoratit që e ka votuar, por dhe për të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
dt 10 shtator
Qeveria e re, reagon PS: Në kabinet, 2 të kërkuar nga drejtësia
TIRANË- Qeveri të punëve të këqija e ka quajtur sot Partia Socialiste kabinetin e ri qeveritar të prezantuar dje nga kryeministri i sapomandatuar Sali Berisha. Gjatë një komunikimi me mediat deputeti i PS-së, Ditmir Bushati ka kujtuar se qeveria strehon dy të kërkuar nga drejtësia dhe tre të kërkuar nga populli opozitar.
Sipas Bushatit, Berisha ka dezinformoi opinionin publik në lidhje me kërkesat legjitime të opozitës që kushtëzojnë marrëdhëniet e PS-së me Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet e dala prej tij.
"Qeveria nuk mund të vazhdojë të fshihet më kokëfortësi pas gjoja procedurave ligjore dhe parimit të ndarjes së pushtetit për mos hapjen e kutive të dyshuara të 28 qershorit, pasi opozita nuk kërkon ndryshimin e pushtetit në tavolinë, por respektimin e një detyrimi kushtetues, ligjor e moral që qëndron në themel të sistemit të demokracisë dhe lirisë që është: transparenca e plotë për votën e sovranit"- tha ai.
Më tej, Bushati ka thënë se qeveria nuk mund të garantojë luftë kundër krimit të organizuar për sa kohë bashkëpunoi me krimin në zgjedhjet e 28 qershorit dhe nuk pranon hetimin e të vërtetës në lidhje me përdorimin e të burgosurve në shërbim të fushatës së saj zgjedhore.
"Shqipëria e sapo anëtarësuar në NATO dhe që troket në dyert e BE-së nuk mund të prodhojë qeverisje legjitime që lind nga një vullnet i deformuar zgjedhor dhe nga përcaktimi i sinorëve të pushtetit mes krushqve qeverisës. Sot, opozita është më e vendosur se kurrë në mbrojtje të lirisë së votës së cenuar dhe do të luftojë me çdo mjet demokratik në mbrojtje të saj"- theksoi ai.